Donacioni nga Austria realizon dy implante kokleare në QKUK
Prishtinë, 18 shtator - Ekipi i kompanisë MED-EL, nga Austria i udhëhequr nga Prof. Boheim, i asistuar nga stafi i mjekëve anesteziologë dhe otorinolaringologë nga QKUK, ka realizuar dy implante kokleare në Klinikën e ORL-së, të Qendrës Klinike Universitare të Kosovës. Pacientët kanë qenë të diagnostikuar me dëmtim të rëndë të dëgjimit dhe janë rekomanduar për Implant koklear.
Këto ndërhyrje u realizuan në kuadër të vazhdimit të projektit të vitit të kaluar, ku u realizuan 10 implante kokleare të cilat kanë qenë donacione individuale nga Emiratet e Bashkuara Arabe. Tani, donator është kompania MED-EL, në bashkëpunim me Ministrinë e Shëndetësisë, QKUK dhe Klinikën e Otorinolaringologjisë.
Vlera totale e këtyre dy implanteve është reth 50.000 euro, po ashtu nga të njëjtën donatorë Klinika e ORL-së, përfitoi një set kirurgjik si donacion dhe mjete tjera të nevojshme për post- implant.
Të dy palët janë pajtuar që bashkëpunimin e nisur ta vazhdojnë edhe në të ardhmen, duke ndihmuar pacientët që kanë dëmtime të rënda të dëgjimit.