Dënohet sulmi fizik ndaj mjekut dr. Halit Gerbeshi
Prishtinë, 16 korrik - Drejtoria e Shërbimit Spitalor Klinik Universitar të Kosovës, sot ka pranuar informatën nga Spitali i Ferizajt, se dje është sulmuar fizikisht Dr. Halit Gërbeshi, ortoped.
Sipas informatës së Spitalit të Ferziajt, doktori në fjalë është sulmuar fizikisht në Repartin e emergjencës dhe ka marrë lëndime trupore.
I lartpërmenduri është sulmuar nga një pacient i cili ka kërkuar të ekzaminohet si rast emergjent, edhe pse në fakt ishte për trajtim jo emergjent.
I njëjti pacient, një ditë me herët ka qenë në emergjencë të Spitalit të Ferizajt dhe i janë bërë të gjitha trajtimet e duhura mjekësore dhe është lëshur për shtëpi.
Përkundër faktit se ai kishte marrë ndihmën emergjente një ditë më parë, ai të nesërmen sulmoi fizikisht Dr. Gërbeshin, duke i shkaktuar lëndime serioze në hundë, fytyrë, qafë dhe gjymtyrë tjera.
Në shenjë të pakënaqësisë ndaj këtij sulmi, sot punëtorët e Spitalit të Ferizajt kanë protestuar për rreth gjysmë ore, duke shprehur indinjatën dhe revoltën e tyre kundër dhunës ndaj mantelbardhëve.
Drejtoria e SHSKUK, dënon ashpër këtë sulm ndaj doktorit në fjalë dhe kërkon nga organet e drejtësisë që kryesit e kësaj vepre të dalin para drejtësisë.