Delegacioni nga QKUK vizitoi Institutin e Onkologjisë në Slloveni
Prishtinë, 29 mars - Një delegacion i Qendrës Klinike Universitare të Kosovës (QKUK), me në krye dr Lulzim Emini, Ud. Drejtor Ekzekutiv, më datën 25 mars, ka vizituar Institutin e Onkologjisë në Slloveni, ku është njohur për së afërmi me punën që bëhet atje dhe janë diskutuar mundësitë e bashkëpunimit të dyanshëm.
Delegacioni i QKUK-së, është pritur nga znj. Anica Zliqar, Drejtoreshë Ekzekutive e Institutit Onkologjik në Lubjanë dhe bashkëpunëtorët e saj.
Në takim Dr. Zliqar, ka sqaruar historikun e Institutit të Onkologjisë, përderisa u shpalos edhe organogrami i funksionimit të këtij Instituti dhe kuadri i mjekëve specialistë, në veçanti i atyre nga lëmi i Radioterapisë dhe Onkologjisë Mjekësore.
Ajo sqaroi se në kuadër të Departamentit Onkologjik në Lubjanë, punojnë 18 specialistë të mjekësisë interne, disa prej tyre të subspecializuar në onkologji.
Në takim mes dy palëve u diskutua edhe për protokollet e punës, mënyrën e udhëheqjes së pacientit nga momenti i diagnostikimit, deri në periudhat e mbikëqyrjes. Delegacioni nga QKUK, përsëafërmi u njoh me punën që bëhet në Departamentin e Onkologjisë mjekësore atje, qëndrimin ditor dhe spitalorë të pacientëve.
Më pas u bë një vizitë edhe në barnatoren e këtij Instituti, ku mes tjerash u pa se si bëhet përgatitja e citostatikëve, që ishte risi në këtë institucion. Gjatë bisedave të përbashkëta, dy palët u pajtuan në të ardhmen të intensifikojnë bashkëpunimin në mes dy instituteve
Delegacionin e QKUK-së, veç Ud. Drejtorit Ekzekutiv, e përbënin dhe dr Mejreme Krasniqi-Maloku, Ud. Shefes së Departamentit të Onkologjisë në Institutin e Onkologjisë në QKUK, Mr.ph. Enkelejda Gjonbalaj,-Drejtoreshë Barnatores Qendrore, dr Blerina Ukimeri- specializante në Institutin e Patologjisë dhe znj. Lirije Beqiri,-Drejtoreshë e Infermierisë në QKUK, znj. Bedrije Rama- infermiere në Institutin e Patologjisë.