Delawie premtoi mbështetje të SHBA-së për shëndetësinë kosovare
Prishtinë, 4 dhjetor - Në Klinikën e Pediatrisë të Qendrës Klinike Universitare të Kosovës, sot ka qëndruar Ambasadori amerikan, Greig Delawie, i cili fillimisht ka vizituar emergjencën pediatrike për tu njohur me investimet e bëra nga shteti amerikanë, e më pastaj ka vizituar disa nga fëmijët e operuar nga ekipi i mjekëve nga Amerika.
Dr. Ramush Bejiqi, pediatër kardiolog, njoftoi se nga projekti i fundit i Organizatës "For Heart And Soul", kanë përfituar 6 fëmijë, përderisa në 18 misionet e dertanishme, 168 fëmijë të trajtuar dhe mbi 1860 fëmijë të kontrolluar.
Ambsadori Delawie, me këtë rast tha se ndihma e dhënë nga mjekët amerikanë tregon për vullnetin që kanë qytetarët amerikanë për të ndihmuar Kosovën.
Ai theksoi se bashkëpunimi ndërmjet Kosovës dhe SHBA-së është i vazhdueshëm.
Sipas tij, rasti i organizatës që ndihmoi fëmijët, por edhe ndihmat e tjera nga qytetarët e Amerikës tregojnë dëshirën e qytetarëve nga Amerika për ta ndihmuar Kosovën.
Ai premtoi mbështetje të mëtejmë të SHBA-së për Kosovën dhe shëndetësinë kosovare.
Dr. Curr Gjocaj, Drejtor i Përgjithshëm i Shërbimit Spitalor Klinik Universitar të Kosovës (SHSKUK) falënderoj Ambasadorin Delawie që ka nderuar SHSKUK-në me vizitën e tij, e poashtu mjekët nga Amerika që vazhdimisht po përkrahin dhe ndihmojnë fëmijët me probleme në zemër.
Ai rikujtoi disa nga ndihmesat e deritanishme nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës, mes tjerash misionin e fundit nga mjekët amerikanë, investimet e US ARMY në renovime të klinikave QKUK, e poashtu, ndihmesat nga Project Hope dhe të tjerat.
Doktoresha Mary Porish nga For heart and Soul, mes tjerash sqaroi se gjithsej 38 fëmijë kanë pasur nevojë për intervenime, por është intervenuar vetëm tek 5 prej tyre, përderisa 1 intervenim tjetër do të kryhet sot.
Dr. Imet Rrahmani, Ministër i Shëndetësisë i Republikës së Kosovës, theksoi se MSH ka prioritet shërbimet pediatrike dhe kjo dëshmohet edhe për përmes ndërtimit të spitalit të ri për shërbimet pediatrike që pritet të ndodhë së shpejti.