Certifikohen kadetët për Infermierë Ushtarakë
Prishtinë 11 shtator - Sot, në ambientet e Kazermës Skënderbeu të Komandës së Doktrinës dhe Stërvitjes në Ferizaj, u mbajt ceremonia e certifikimit të Kursit për Reagues të Parë dhe Kursit për Lidership Reagues për paramedikë, (infermierë ushtarakë të vijës së parë) të realizuar nga instruktorë të KFOR-it amerikanë në Bondstel.
Në ceremoni morën pjesë: komandanti i FSK-së, gjenerallejtënant Kadri Kastrati, komandanti i KDS-së, gjeneralbrigade Enver Cikaqi, komandanti i Bonstellit kolonel Chad Butts, shefi i Shtabit të NLAT-it kolonbel Michele Biasiuti, Shefi i Shtabit të Bondstill nënkolonel Chadwick Shields, oficerë të FSK-së, KFOR-it, NLAT-it, dhe përfaqësues nga ambasada amerikane në Prishtinë.
Me këtë rast, komandanti i KDS-së, gjeneral Cikaqi u paraqit me një fjalë tematike, për rëndësinë e trajnimit. Folën edhe komandanti i Bonstellit kolonel Chad Butts, shefi i Shtabit të NLAT-it kolonbel Michele Biasiuti dhe shefi i Shtabit të Bondstill, nënkolonel Chadwick Shields.
Ndërsa me nga një fjalë përshëndetëse u paraqitën: komandanti i FSK-së, gjenerallejtënant Kadri Kastrati i cili tha: kemi një bashkëpunim të shkëlqyeshëm në mes FSK-së dhe ushtrisë amerikane.
Mirëpo këto trajnime nëse nuk avancohen, nëse nuk ju shpërndahen pjesëtarëve të tjerë të FSK-së, ato nuk do ta kenë vlerën e tyre. Ushtria amerikane ka dëshmuar se ka kontribuar duke mbështetur FSK-në, në të gjitha aspektet. Për këtë ne u jemi mirënjohës dhe falënderues.
Pa dyshim që kontributi i instruktorëve amerikan ka qenë jashtëzakonisht i lartë. Pjesëtarët të cilët po certifikohen sot, e kanë një obligime shtesë, për ti përcjellë njohuritë dhe rritë kapacitetet e FSK-së tha në fund komandanti i FSK-së, gjenerallejtënant Kadri Kastrati.
Në fund u dhanë certifikata të gjithë pjesëmarrësve të FSK-së dhe instruktorëve amerikanë.