Care for Kosovo Kids ndihmon trajtimin e fëmijëve me sëmundje malinje

Prishtinë, 12 mars - Ministri i Shëndetësisë i Republikës së Kosovës, Imet Rrahmani, priti sot një delegacion të organizatës jo-qeveritare Care for Kosovo Kids, me seli në Holandë, të kryesuar nga znj. Anke Gerrits.
Në këtë takim, u bisedua për bashkëpunimin midis Ministrisë së Shëndetësisë dhe kësaj organizate në fushën e mbështetjes së fëmijëvekosovarë me sëmundje malinje.
Përfaqësuesit e Care for Kosovo Kids e kanë njoftuar Ministrin Rrahmani me përkrahjen që kjo organizatë u ka dhënë fëmijëve kosovarë që janë trajtuar në Repartin e Hemato-onkologjisë në Klinikën e Pediatrisë në dy vitet e fundit, duke i ndihmuar ata me sigurimin e terapisë, përkatësisht citostatikëve.
Kjo organizatë, ka ndihmuar brenda vitit nga 60 pacientë në sigurimin e terapisë si dhe me projekte të tjera në Klinikën e Pediatrisë, si renovimet në Repartin e gatstro-enterologjisë, dekorimin përbrenda të hapësirave të klinikës, sigurimin e mjeteve të tjera si makinave larëse të kapaciteteve të mëdha, ndërresa të shtretërve, etj.
Ministri Rrahmani falënderoi përfaqësuesit e shoqatës për angazhimin dhe kontributin për fëmijët kosovarë dhe shprehu përkushtimin e tij që ky bashkëpunim të zgjerohet me përkrahjen edhe të Ministrisë së Shëndetësisë, me qëllim që fëmijët kosovarë , të prekur nga sëmundjet malinje të marrin tretmanin adekuat mjekësor, e gjithashtu, të kontribuohet edhe në fazat e parandalimit dhe aftësimit profesional edhe të profesionistëve shëndetësor të fushës përkatëse.