22 Dhjetor 2024

Bukoshi u kërkon sindikalistëve mos te japin ultimatume

Prishtinë, 8 prill - Ministri i Shëndetësisë i Republikës së Kosovës, Bujar Bukoshi, priti sot një delegacion të Federatës Sindikale të Shëndetësisë së Kosovës (FSSHK), të kryesuar nga kryetari i saj , Blerim Syla.

Në këtë takim, ministri Bukoshi ka biseduar me sindikalistët lidhur me disa kërkesa të ngritura nga këta të fundit, lidhur me mundësitë e përmirësimit të pozitës materiale të punonjësve shëndetësor.

Sindikalistët kanë kërkuar që 44 euro, të cilat deri tash punonjësit shëndetësor i kanë marrë në formë të shtesës, të paguhen që prej fillimit të këtij viti në kuadër të vijës së rregullt buxhetore, të kërkohet nga kabineti qeveritar që të ketë ngritje tjetër të pagave në shëndetësi në gjashtë mujor kur bëhet rishikimi i buxhetit dhe në kuadër të BSPK-së, sindikalistët shëndetësor të japin kontributin e tyre në hartimin e ligjeve, edhe nëse ato nuk sponzorizohen drejtpërdrejt nga Ministria e Shëndetësisë sikur është Ligji për Punën, e po ashtu të hartohen dhe miratohen edhe Ligji për organizimin Sindikal dhe Ligji për Grevat.

Ministri Bukoshi është zotuar se kërkesat e tyre do t’i përcjellë në instancat kompetente, ndërkohë që ka theksuar se problemeve duhet qasur në mënyrë pragmatike dhe reale, pa emocione dhe ultimatume.

Ministri Bukoshi tha se MSh nuk i sheh sindikalistet si opozitë, por si partnerë në adresimin dhe zgjidhjen e problemeve, të cilat ndër të tjera janë pasojë edhe e asaj se shëndetësia nuk është trajtuar sipas rëndësisë që ka në shoqëri edhe nuk i është dhënë mbështetja adekuate.

 

Federata është udhëhequr në këtë takim nga Kryetari i FSSHK-së, Dr. Blerim Syla, i cili është shoqëruar nga Nënkryetari i FSSHK-së, Blerim Delija dhe Kryetari i Këshillit Drejtues të FSSHK-së, Dr. Xhemajl Selmani. Me këtë rast, përfaqësuesit e FSSHK-së i kanë dorëzuar edhe një herë kërkesat Ministrit të Shëndetësisë. Këto kërkesa janë:

1.    Të paguhen të gjitha borxhet për 44 eurot për të gjithë punëtorët shëndetësorë në vend për vitin 2009.

2.    Nga 1 janari 2010 pagesa e 44 eurove për të gjithë punëtorët shëndetësorë të bëhet përmes vijës buxhetore.

3.    Të bëhet rritje e pagave të punëtorëve shëndetësorë në fund të gjashtë-mujorit të parë 2010, me rastin e rishikimit të buxhetit.

4.    Përfaqësuesit e Federatës së Sindikatave të Shëndetësisë së Kosovës të jenë pjesë aktive e grupeve punuese për përpilimin e ligjeve: të punës, të pagave, të sigurimeve shëndetësore, të organizimit sindikal dhe të grevave.

Nga ana e tij, Ministri i Shëndetësisë, Prof. Dr. Bujar Bukoshi, ka kërkuar nga përfaqësuesit e FSSHK-së që t'i jepet kohë deri më 16.04.2010, për të dhënë përgjigje zyrtare për kërkesat e bëra. Ministri Bukoshi ka garantuar se do të bëjë përpjekje maksimale për plotësimin e këtyre kërkesave.



 





 







 







 
   

Kalendari

Ngjarjet e datës 8 gusht 2023

 - Partia Demokratike e Kosovës, mban konferencë për media. (Selia Qendrore e PDK-së, ora 11:00)

 

 - Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, organizon shfaqjen e filmave “I Pabesi” dhe “Heshtja Vret”. (Kino “Armata”, ora 20:00)