Bukoshi dhe Giffoni diskutojnë bashkëpunimin Kosovë-Itali
Prishtinë, 12 maj - Ministri i Shëndetësisë i Republikës së Kosovës, Bujar Bukoshi priti sot në një takim Ambasadorin e Italisë në Kosovë, Michael Giffoni, që njëherësh është edhe përfaqësues i Bashkimit Evropian për Veriun e Kosovës.
Në këtë takim është diskutuar për bashkëpunimin midis Kosovës e Italisë në fushën e shëndetësisë dhe drejt konkretizimit të marrëveshjes reciproke të bashkëpunimit, e cila pritet të nënshkruhet së shpejti.
Marrëveshja e bashkëpunimit parasheh ndihmën e Republikës së Italisë për shëndetësinë kosovare në vlerë prej rreth 3 milionë eurove, shumica prej të cilave në fushën e kardiokirurgjisë, edukimit të vazhduar dhe në fusha të tjera.
Ministri Bukoshi ka falënderuar Ambasadorin e Italisë për ndihmën e shtetit të tij për Kosovën si në rrafshin politik, ashtu edhe në atë të shëndetësisë dhe të dy bashkëbiseduesit janë shprehur optimist se Marrëveshja që do të nënshkruhet do ti hap rrugë finalizimit të projekteve të përbashkëta në shëndetësi.