Bisedojnë për organizimin e Forumit shëndetësor kroato-kosovar
Prishtinë, 28 shtator - Ministri i Shëndetësisë i Republikës së Kosovës, dr. Imet Rrahmani, priti sot në takim Ambasadorin e Republikës së Kroacisë në Kosovë, Zoran Vodopija.
Në këtë takim u bisedua për forcimin e bashkëpunimit në shëndetësi midis Kosovës dhe Kroacisë, fushat e bashkëpunimit të ardhshëm dhe përgatitjen e një Memorandum bashkëpunimi, i cili do ti hap rrugë një bashkëpunimi më intensive midis dy shteteve në shëndetësi.
Rëndësi e veçantë në këtë takim i është kushtuar edhe përgatitjes së vizitës së Ministrit të Shëndetësisë të Kroacisë, Sinisha Varga, i cili me një ekip të ekspertëve eminent të fushave të shëndetësisë nga spitale të ndryshme të Kroacisë, do të qëndrojë për vizitë në muajin tetor në Kosovë, me çrast do të mbahet edhe Forumi Shëndetësor midis ekspertëve të fushave mjekësore nga Kosova e Kroacia.
Ministri Rrahmani ka mirëpritur interesimin e Kroacisë për të forcuar bashkëpunimin në shëndetësi dhe në takim, është biseduar për mundësitë e shkollimit specialistik të kuadrit kosovar në Kroaci, bashkëpunimin në fushën e shërbimeve shëndetësore, partneritetit publiko privat dhe tema të tjera me interes, të cilat do të jenë pjesë e punimeve të Forumit shëndetësor kroato-kosovar që do të mbahet në tetor në Prishtinë.