Bilanci i vdekjeve në Spanjë rëndohet me gati 200 vdekje brenda dite
Madrid, 17 mars - Bilanci i vdekjeve në Spanjë u rëndua papritur brenda 24 orësh me gati 200 vdekje të reja.
Nga 309 të vdekur që ishin të hënën, sot u shënuan 491 ndërsa vendi është kthyer shumë shpejt në fokusin e epidemisë.
Numri I rasteve të konfirmuara kapërceu nga 2000 në 11,178, e si pjesë e masave të dëshpëruara për të frenuar epideminë, Spanja mbylli kufijtë dhe ka mbajtur në fuqi izolimin e pjesshëm të 47 milionë banorëve të saj.
Vetëm 9 ditë më parë, kujton Bloomberg, ministra të qeverisë spanjolle ishin në mesin e 120 mijë demonstruesve që mbushën rrugët e Madridit për të shënuar ditën ndërkombëtare të grave, duke injoruar krejtësisht rrezikun e infektimit, edhe pse nga Italia mbërrinin lajmet frikësuese se Lombardia po vendosej e gjitha në karantinë. Kryeqyteti spanjoll është zona me numrin dërrmues të rasteve.
El Pais raportoi se autoritetet e ishujve baleare i kanë kërkuar 25. 000 turistëve që ndodhen ende aty, të kthehen sa më parë në vendet e tyre.
Presidenti francez Emmanuel Macron i urdhëroi dhe ai njerëzit të mbyllen në shtëpi e të dalin vetëm në raste të domosdoshme. Shefi I Elizesë e pranoi se masat e mëhershme që përfshinin mbylljen e shkollave, kafeneve dhe dyqane jo bazike, rezultuan të pamjaftueshme.
“ Jemi në luftë..nuk po luftojmë me një ushtri tjetër, por armiku është këtu, I padukshëm, I paprekshëm dhe po avancon…”, u shpreh Macron. Në Iran, vendi i tretë më i prekur në botë pas Kinës dhe Italisë, të vdekurit janë gati 990 dhe të infektuarit 16.000. Për shkak të koronavirusit, republika islamike liroi përkohësisht nga burgjet 85 mijë persona, mes të cilëve ka dhe të burgosur politikë.