Bie numri i viktimave të AIDS-it
Gjenevë, 16 korrik - Një raport i Kombeve të Bashkuara, i publikuar sot, bën të ditur se vdekjet e lidhura me AIDS-in kanë shënuar nivelin më të ulët që nga kulmi i tyre më 2004 dhe se numri i njerëzve që jetojnë me virusin HIV, i cili shkakton AIDS-in, ka mbetur pothuajse i pandryshuar në dy vjetët e fundit.
Raporti thekson se fundi i epidemisë së AIDS-it është i mundur, ndonëse pranon se numri i të infektuarve të rinj më shumë se dy milionë në vitin 2013 është ende shumë i lartë.
Raporti po ashtu përcakton një objektiv për reduktimin e vdekjeve nga ADIS-i dhe të infektimeve të reja për 90 për qind deri në vitin 2030.
Agjencia për AIDS e OKB-së llogarit se rreth 35 milionë njerëz kanë jetuar me HIV vitin e kaluar dhe më 2012.
Ajo po ashtu thotë se rreth 1.5 milion njerëz kanë vdekur nga AIDS më 2013, nga 1.7 milion sa kanë vdekur më 2012.
Viktimat nga AIDS-i kanë arritur kulmin më 2004, kur rreth 2.4 milionë njerëz kanë vdekur nga kjo sëmundje.