Bie numri i të hospitalizuarve nga COVID-19 në Kosovë
Prishtinë, 1 shtator - Shërbimi Spitalor Klinik Universitar i Kosovës (SHSKUK), ka njoftuar sot se 1220 pacientë janë duke u trajtuar në spitalet e përgjithshme në Kosovë si dhe në klinikat për trajtim të koronavirusit.
Shifra është për 39 më pak se një ditë më parë kur ishin raportuar 1259 pacientë.
“Nga 1220 pacientët e shtrirë, 1116 janë të konfirmuar me COVID-19, 1051 me oksigjeno-terapi dhe 59 në kujdes intensiv, në gjendje të rënduar shëndetësore”, thuhet në raport.
Në Kosovë u konfirmuan të martën edhe 26 viktima nga koronavirusi. Ministria e Shëndetësisë njoftoi edhe për 1,383 raste pozitive. Rastet e reja rezultuan pas testimit të 11,472 mostrave. Shifra prej 1,383 i bie që rreth 12 për qind e të testuarve kanë dalë pozitivë.
Deri të martën, në Kosovë janë dhënë mbi 825,000 vaksina kundër koronavirusit.
Në total, 276,890 qytetarë janë vaksinuar me nga dy doza.
Në Kosovë, së shpejti, pritet të arrijnë mbi 450,000 doza të vaksinës Pfizer/BioNTech kundër koronavirusit, të bëra donacion nga Shtetet e Bashkuara, tha të martën ministri i Shëndetësisë i Kosovës, Arben Vitia.
Duke folur në një konferencë për media në Prishtinë, Vitia tha se Kosova ka mjaftueshëm doza të vaksinës Pfizer/BioNTech dhe AstraZeneca.
“Edhe një herë ju bëj thirrje që të mos zgjedhim se cilën vaksinë ta marrim në një situatë si kjo. Me rëndësi është që të vaksinohemi sa më parë”, tha Vitia.
“Ne jemi i vetmi vend në rajon që kemi administruar vetëm vaksina të aprovuara nga Agjencia Evropiane e Barnave dhe Administrata e Ushqimit dhe Barnave e SHBA-së”, shtoi ai.
Vitia nuk sqaroi se sa vaksina gjenden saktësisht në stoqe. Disa qytetarë, ditëve të fundit, kanë shpërndarë në rrjetet sociale fotografi me mesazhet për refuzim të termineve për vaksinim.