BE në Kosovë i jep Profesor Lul Rakës Çmimin Evropiani i Vitit 2020
Prishtinë, 9 maj - Lul Raka, Profesor i Mikrobiologjisë dhe Kontrollit të Infeksioneve në Universitetin e Prishtinës, është votuar si Evropiani i Vitit 2020, një çmim që ndahet çdo vit me rastin e Ditës së Evropës nga Bashkimi Evropian në Kosovë.
Në ceremoninë e transmetuar sot në faqen Facebook të Bashkimit Evropian në Kosovë, Profesor Rakës çmimi iu dha nga Ambasadorja Nataliya Apostolova, Udhëheqëse e Zyrës së BE-së në Kosovë/Përfaqësuese e Posaçme e BE-së.
Të pranishëm ishin edhe të nominuarit e tjerë: Valbona Mazreku për 32 vullnetarët që ndihmojnë qytetarët në karantinë në Qendrën e Studentëve në Prishtinë; Darko Dimitrijeviq, gazetar dhe aktivist; dhe Dr. Lindita Ajazaj-Berisha nga Klinika e Sëmundjeve Infektive në QKUK.
Eventit iu bashkuan edhe fituesit e mëparshëm, Majlinda Kelmendi, Kampione Olimpike në xhudo; Jeton Neziraj, drejtor teatri; dhe drejtori i kompanisë KIVO, Visar Ramajli; së bashku me Ministrin në detyrë të Integrimit Evropian, Blerim Reka.
Për të pestin vit me radhë, me rastin e Ditës së Evropës, Bashkimi Evropian në Kosovë ndan Çmimin Evropiani i Vitit për një individ/institucion që ka kontribuar më së shumti në promovimin e vlerave evropiane në Kosovë gjatë vitit të kaluar.
Të nominuarit për vitin 2020 përfshinin persona dhe institucione që kanë dëshmuar përkushtim të madh në luftimin e Covid-19 duke iu përmbajtur vlerave evropiane.
Fituesi u vendos përmes një votimi në llogarinë në Facebook të BE-së në Kosovë, nga populli i Kosovës.