23 Dhjetor 2024

Bastiset Ministria e Shëndetësisë, arrestohen 4 zyrtarë të lartë

Prishtinë, 12 janar - Sot, rreth orës 9 e 30 minuta, Policia e Kosovës në bashkëpunim me Policinë e EULEX-it, me urdhër të Prokurorisë Speciale, ka nisur bastisjen e disa zyrave në Ministrinë e Shëndetësisë, ku edhe ka arrestuar katër të dyshuar që të gjithë zyrtarë të Ministrisë së Shëndetësisë.

Policia e Kosovës ka bër të ditur së Departamenti Special Anti-korrupsion i udhëhequr nga Prokuroria Speciale e Kosovës (PSK) pas një hetimi disa mujor lidhur me dyshimet për shpërdorim të detyrës zyrtare apo autorizimit, shmangie nga tatimi, pastrim parash dhe krim të organizuar në dhënien e tenderëve në Ministrinë e Shëndetësisë ka realizuar sot një kontroll në zyrat e disa zyrtarëve në këtë ministri.

Ky kontroll është realizuar sipas urdhëresës së Gjykatës së Qarkut në Prishtinë me dyshimin e bazuar se zyrtarë të kësaj Ministrie gjatë dhënies së tenderëve kanë dëmtuar buxhetin e Ministrisë së Shëndetësisë duke i sjell veti dhe të tjerëve dobi pasurore të kundërligjshme.
 
Si vazhdimësi e procedurës hetimore policia ka arrestuar Ilir Tolajn, sekretar permanent në Ministrin e Shëndetësisë, Zenel Kuçin udhëheqësin e zyrës së Prokurimit, dhe Hajrullah Fezën e Bekim Fushën udhëheqës të Njësisë Farmaceutike pranë të njëjtës Ministri.

Operacioni i kontrollit ka përfunduar me sekuestrimin e përkohshëm edhe të disa  pajisjeve elektronike, dokumenteve, dhe disa dosje të tenderëve në cilësinë e provave.

Prokuroria ka mbikëqyrur kontrollin nga afër dhe sipas vendimit të saj të dyshuarve u është caktuar masa e ndalimit policorë për 48 orë deri në vazhdimin e procedurave tjera të rregullta gjyqësore.

Nicolas Hawton shefi i zyrës për Informim i EULEX-it ka bërë të ditur se anëtarët e task Forcës Anti Korrupsion mbështetur në zyrën e Speciale të Hetimeve të Kosovës kanë arrestuar Ilir Tolajn, sekretar permanent në Ministrin e Shëndetësisë, Zenel Kuçin udhëheqësin e zyrës së Prokurimit, dhe Hajrullah Fezën e Bekim Fushën udhëheqës të Njësisë Farmaceutike pranë të njëjtës Ministri .

Sipas tij, bastisja është zhvilluar sot në ministri kurse prokurori i EULEX-it nga Zyra Speciale e Hetimeve e Kosovës, do të kërkojë ndalimin e tyre apo shqiptimin e masave tjera që do të ndalojnë kthimin e Tolajn dhe të tjerëve në Ministrinë e Shëndetësisë dhe atë deri në përfundim të hetimeve.

“Arrestimet janë bërë për shkak të dyshimit se 4 punonjësit e ministrisë janë involvuar në korrupsion, përfshirë këtu abuzimin me pozitën zyrtare, manipulimin me tenderë dhe përfshirjen në kontrata të dëmshme të cilat kanë dëmtuar buxhetin e Kosovës” ka thënë Hawton.

Ministri i Shëndetësisë i Republikës së Kosovës, Ferid Agani, kërkoi sot në një konferencë për media që t’i lihet drejtësisë ta thotë fjalën e vet përfundimtare pas bastisjes që sot është bërë në Ministri nga Policia e Kosovës në bashkëpunim me Policinë e EULEX-it, me urdhër të Prokurorisë Speciale, pas të cilit aksion për në Polici janë shoqëruar Sekretari i Përgjithshëm i MSh-së, Ilir Tolaj, U. D. i Drejtorit të Prokurimit, Zenel Kuçi, Drejtori i Departamentit të Farmacisë, Bekim Fusha dhe Shefi i Divizionit të Cilësisë së Shërbimeve, Hajrullah Fejza.

Ministri Agani njoftoi gazetarët se pak minuta para se të fillojë bastisja, Policia e ka njoftuar atë se do ta kryejë një bastisje nën dyshimet për korrupsion.

Ministri tha se MSh ka ofruar bashkëpunim me organet e rendit, përfshirë edhe katër zyrtarët që janë ndaluar nga Policia, të cilët kanë bashkëpunuar me Policinë dhe aksioni i tyre është kryer në mënyrë korrekte dhe në bashkëpunim të dyanshëm.

“Ne jemi të interesuar si Ministri e Shëndetësisë që hetimet të cilat janë bërë ndaj zyrtarëve të Ministrisë të përfundohen me sukses dhe krejt rasti të qartësohet, ashtu që Ministria e Shëndetësisë të mund të vazhdoj me procesin e reformave brenda sistemit shëndetësor”, deklaroi Ministri Agani.

Ai tha se nga Prokurorja e EULEX-it nuk është njoftuar në detaje me lëndët për të cilat po hetohen zyrtarët e MSH-së, por theksoi se Ministria ka shprehur gatishmërinë që komunikimet dhe bashkëpunimi të jetë i plotë edhe në periudhën e ardhshme.

Ministri Agani tha se një situatë e këtillë , normalisht që i vështirëson punët në Ministri, por Ministria pret që pas kësaj ngjarje, të qartësohen dilemat  e ngritura  rreth lëndëve të caktuara që kanë qenë pjesë e debateve edhe aty ku nuk e kanë vendin.

“Në një Ministri që mbetet pa Sekretar të Përgjithshëm dhe tre zyrtarë të lartë brenda ditës nuk mund të flitet për punë më të lehtë,” tha Ministri Agani duke shtuar se “ajo që do ta lehtësojë MSh-në është fakti se pas kësaj ngjarje do të hiqen dilemat se kush është përgjegjës përkitazi më lëndët e caktuara, të cilat kanë qenë shpesh herë tema të  shkrimeve në media e polemikave të ndryshme.

“Unë nuk dua të them që Ministria do ta ketë më lehtë në periudhën e ardhshme, por do ta ketë më lehtë në një aspekt tjetër, sepse do të lirohet nga një barrë e rëndë e hipotekave dhe akuzave të përsëritura për korrupsion në nivele të ndryshme sidomos të Prokurimit. Përgjigjën për këto çështje do ta kemi nga organet meritore të drejtësisë dhe në këtë aspekt, Ministria do të jetë më e relaksuar, sepse do ta ketë përgjigjen faktike dhe reale”, tha Ministri.

“Unë nuk dua të bie ndesh me deklarimet e mia të mëhershme dhe para dy javësh kur i paraqitëm sukseset e MSh-së për vitin e kaluar, edhe këta zyrtarë kanë qenë pjesë e atyre rezultateve dhe sukseseve, prandaj jam i prirë t’i shoh drejt gjërat, jo bardh e zi”, theksoi më tej Ministri, duke shtuar se me interesim pret fjalën përfundimtare  të organeve të drejtësisë.

“Ky rast duhet parë nga këndvështrimi se tërë procesi hetimor, do t’u mundësojë të hetuarve që të pastrohen ndaj akuzave të tyre të bërë në mënyrë të përsëritur nëse janë të pafajshëm, ose do të mundësojë që nëse ata kanë kryer vepra penale të marrin dënimin e merituar”, tha Ministri Ferid Agani.

Kalendari

Ngjarjet e datës 8 gusht 2023

 - Partia Demokratike e Kosovës, mban konferencë për media. (Selia Qendrore e PDK-së, ora 11:00)

 

 - Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, organizon shfaqjen e filmave “I Pabesi” dhe “Heshtja Vret”. (Kino “Armata”, ora 20:00)