Bashkëpunimi Kosovë - Turqi do të rritet dhe do të zgjerohet
Prishtinë, 23 dhjetor - Ministri i Shëndetësisë i Republikës së Kosovës, Imet Rrahmani priti sot në takim Ambasadoren e Republikës së Turqisë në Kosovë, znj. Kivilcim Kiliç.
Në takim u diskutua për marrëveshjet e bashkëpunimit të cilat janë realizuar deri më tani, me çrast ministri Rrahmani shprehu falënderimet e tij për Republikën e Turqisë, për ndihmën që ka dhënë për shtetin e Kosovës, e në veçanti për mbështetjen e vazhdueshme të shëndetësisë kosovare.
Shëndetësia në vendin tonë, ka nevojë për mbështetje të shteteve mike si në ngritjen e kapaciteteve infrastrukturore po ashtu edhe në edukimin e vazhdueshëm profesional shëndetësor, ku ne jemi duke mbledhur të dhëna se në cilat fusha është më e nevojshme tha ministri Rrahmani.
Ambasadorja znj. Kiliq tha se interesi i Turqisë është që bashkëpunimi i deritanishëm me Kosovën të rritet dhe të zgjerohet, si në mbështetjen me aparatura, me staf profesional por edhe me trajnime të nevojshme për punëtorët shëndetësor kosovar, aty ku shihet se ka nevojë.
Në takim u bisedua edhe për mundësinë e takimit në nivel ministrash të shëndetësisë, të Kosovës dhe Turqis, me qëllim të forcimit dhe Konkretizimit të bashkëpunimit në shëndetësi në mes dy vendeve.