Banka Raiffeisen dhuron donacion në vlerë 100,000 euro për QKUK
Prishtinë, 29 maj Banka Raiffeisen, i ka dhuruar Qendrës Klinike Universitare të Kosovës, përkatësisht Klinikës Obstetrike Gjinekologjike donacion në vlerë 100,000 euro, donacioni përmban, shtretër dhe pajisje tjera mjekësore të nevojshme për këtë klinikë.
Dr. Nijazi Gashi, drejtor ekzekutiv i QKUK-së, falënderoi Bankën Raiffeisen që kanë zgjedhur QKUK-në për të dhuruar këtë donacion, duke shtuar se donacionet e tilla do të lehtësojnë punën në QKUK dhe përmes aparaturave të siguruara do të ofrohen kushte më të mira për pacientët.
Me këtë rast, Ministri i Shëndetësisë së Republikës së Kosovës, Dr. Ferid Agani, tha se donacioni ka shumë rëndësi për QKUK-në, sidomos për njësinë e shëndetit të nënës dhe fëmijëve. \" E dini sa është i vështirë funksionimi i shëndetësisë në rrethana të këtij nën financimi, kontributet e tilla me pajisje dhe material harxhues për Klinikën e Gjinekologjisë, do të ndikojnë direkt në cilësi të shërbimeve në këtë klinikë\", theksoi ai. Sipas tij, ndër prioritetet e Ministrisë së Shëndetësisë është prioriteti i shëndetit të nënës dhe fëmijëve dhe Ministria në vazhdimësi ka punuar për ta fuqizuar këtë shërbim. Ministri Agani, lavdëroi punën e profesionistëve shëndetësore në Klinikën e Gjinekologjisë, të cilët me punën e tyre kanë ndikuar në uljen e vdekshmërisë së foshnjave dhe kanë ndikuar që mos të ketë asnjë vdekje të nënave që kanë lindur.
Kurse Robert Wright, drejtor ekzekutiv i Bankës Raiffeisen dhe Kryetar i Bordit Menaxhues në Raiffeisen Bank Kosovë, tha se që nga fillimi i punës së saj në Kosovë, Banka Raiffeisen vazhdimisht ka investuar në projekte të ndryshme në sport, kulturë, mirëqenje sociale dhe shëndetësi. Pa përmendur projektet në fushat tjera, në shëndetësi kemi përkrahur projekte, të cilat kryesisht ishin te lidhura me Klinikën e Pediatrisë.
\"Donacioni në vlerë prej 100,000 Euro të cilin e kemi ndarë për Klinikën Gjinekologjike është donacioni më i madh që ne kemi dhënë në Kosovë. Kjo shumë është ndarë si donacion vitin e kaluar si rezultat i 10 vjetorit të punës sonë në Kosovë, ndërsa përmes një ankete i kemi pyetur klientët tanë se në cilën fushë ata mendojnë se duhet ta ofrojmë këtë donacion\" potencoi z. Wirght.
Në emër të Klinikës Obstetrike Gjinekologjike, foli dr. Myrvete Pacarada, Ud. Drejtoreshë e Klinikës, e cila tha se u është shumë mirënjohës Bankës Raiffeisen , stafit dhe drejtorit të saj që zgjodhën Klinikën Obstetrike Gjinekologjike për ta përkrahur dhe ndihmuar QKUK-në.
\"Klinika Obstetrike Gjinekologjike është shumë e kënaqur me këtë donacion dhe me bashkëpunimin që ka treguar Banka, meqë janë përfillur kresat dhe nevojat që ka pasur Klinika për pajisje dhe aparatura. Tashmë, nënat, motrat dhe bijat tonat që kërkojnë mjekim dhe që lindin në QKUK do të kenë kushte më të përshtatshme, tani kemi tavolina të reja operative nga donacioni, po ashtu shtretër dhe makina të larjes, gjithashtu QKUK po investon në renovim të nyjeve sanitare\", tha ajo.