23 Dhjetor 2024

Banka Botërore: Kosova e ka prioritet zhvillimin e kapitalit njerëzor

Washington, 17 shtator - Sipas përditësimit më të fundit të Indeksit të Kapitalit Njerëzor (IKNj), i përpiluar nga Banka Botërore për të matur rezultatet e kapitalit njerëzor në mbarë botën para pandemisë, të rinjve në rajonin e Evropës dhe Azisë Qendrore po u sigurohen mundësitë e nevojshme për t’u bërë persona të rritur produktivë, falë investimeve të vazhdueshme në shëndetësi dhe për arsimimin gjatë fëmijërisë dhe adoleshencës së tyre.

Sidoqoftë, pandemia Covid-19 është kthyer në kërcënim ndaj arritjeve të deritanishme, teksa qeveritë hasin vështirësi në mbajtjen e shërbimeve shëndetësore dhe arsimore nën kufizimet e vendosura për të mbrojtur shëndetin publik, përfshirë mbylljet e shkollave.

Sipas raportit, një fëmijë i lindur në Kosovë sot mund të arrijë 57 për qind të produktivitetit të një të rrituri me arsim dhe shëndet të plotë, që është një rezultat më i ulët se mesatarja për rajonin e Evropës dhe Qendror, por pak më i lartë se mesatarja për vendet që Banka Botërore i rendit në grupin e vendeve me të hyra të mesme të larta, ku ndodhet Kosova.

Në Kosovë, një fëmijë që e fillon shkollën në moshën 4 vjeç, mund të presë që të kryejë 13.2 vite shkollim deri në ditëlindjen e vet të 18-të. Megjithatë, kur llogaritet mësimnxënia reale e fëmijëve, vitet e pritshme të shkollimit janë vetëm 7.9, pra ka një hendek të mësimnxënies prej 5.3 vitesh.

Në testet e harmonizuara, nxënësit në Kosovë marrin 374 pikë në një shkallë ku 625 paraqet arritje të përparuara dhe 300 paraqet arritjen minimale.

Sa u përket rezultateve shëndetësore, raporti tregon se në Kosovë, 91 për qind e 15-vjeçarëve do të mbijetojnë deri në moshën 60 vjeç.

Raporti vë në pah edhe se 99 nga 100 fëmijë të lindur në Kosovë, mbijetojnë deri në moshën 5 vjeç. Në aspektin e dallimeve gjinore në Kosovë, Indeksi i Kapitalit Njerëzor është më i lartë për vajzat sesa për djemtë.

“"Investimet në kapitalin njerëzor - njohuritë, shkathtësitë dhe shëndeti që njerëzit akumulojnë gjatë jetës së tyre - janë thelbësore për përmirësimin e rritjes ekonomike në Kosovë dhe në vendet e tjera”, ,” tha Massimiliano Paolucci, Menaxheri i Vendit për Kosovën i Bankës Botërore..

Ai shtoi se “Pandemia që po kalojmë e ka bërë të qartë rëndësinë e kujdesit shëndetësor dhe arsimit cilësor”.

Nga 48 vendet në Evropë dhe Azinë Qendrore të përfshira në IKNj 2020, 33 renditen në një të tretën e sipërme në botë, dhe pothuajse të gjitha janë në gjysmën e sipërme.

Këto gjetje përputhen përgjithësisht me vendet me të hyra relativisht të larta në rajon, por vendet më të pasura janë në gjendje të investojnë më shumë në arsim dhe shërbimet shëndetësore bazë sesa vendet e varfra. Sidoqoftë, ka ndryshime të konsiderueshme brenda rajonit.

Mes ekonomive në ngritje dhe në zhvillim të rajonit, një fëmijë i lindur në Poloni mund të presë të arrijë 75 për qind të produktivitetit të një të rrituri plotësisht të arsimuar dhe me shëndet optimal. Për dallim, një fëmijë i lindur në Taxhikistan, mund të presë të arrijë vetëm 50 për qind të produktivitetit.

“Qeveritë në Evropë dhe Azinë Qendrore kanë bërë mirë që i kanë vendosur si prioritete investimet në shëndetësi dhe arsim, nxitësit kyç të rritjes dhe zhvillimit. Sidoqoftë, sfidat e krijuara nga Covid-19 kërkojnë një përgjigje edhe më të fortë përmes politikave, duke përfshirë përdorim më të madh të teknologjisë për të përmirësuar ofrimin e shërbimeve, dhe programe të zgjeruara të ndihmës sociale për të siguruar që njerëzit të vazhdojnë të përfitojnë nga arsimi dhe kujdesi shëndetësor cilësor”, tha Anna Bjerde, Zëvendës Presidente e Bankës Botërore për rajonin e Evropës dhe Azisë Qendrore.

Raporti i këtij viti përfshin një analizë dhjetëvjeçare, nga viti 2010 deri në vitin 2020, të zhvillimit të kapitalit njerëzor në 103 vende. Shqipëria, Azerbajxhani dhe Rusia janë mes 10 vendeve me përmirësimet më të mëdha në nivel global në lidhje me progresin e bërë në shëndetësi dhe arsim.

Banka Botërore po u ndihmon qeverive të krijojnë zgjidhje afatgjata që do të ndërtojnë ekonomi më të qëndrueshme dhe gjithëpërfshirëse pas përfundimit të pandemisë.

Një shembull i kësaj pune është Ukraina, ku Banka Botërore po forcon reagimin shëndetësor të vendit ndaj Covid-19, duke përfshirë modernizimin e departamenteve të urgjencës dhe njësive të kujdesit intensiv në 40 spitale, si dhe trajnimin e mijëra mjekëve ukrainas.

Në Turqi, Banka Botërore po mbështet zhvillimin e përmbajtjes televizive dhe digjitale për mësimdhënie dhe mësimnxënie të përzier kur të rihapen shkollat.

Arritjet rajonale në shëndetësi

Në përgjithësi, rezultatet e shëndetësisë në rajon janë relativisht të mira sipas standardeve globale.

Gjatë 10 viteve të fundit, nivelet e vdekshmërisë së fëmijëve kanë rënë ndjeshëm, me Azerbajxhanin, Kazakistanin dhe Turqinë që shënojnë përmirësimet më të mëdha në vdekshmërinë e fëmijëve. Në mënyrë të ngjashme, shkalla e fëmijëve të pazhvilluar ka rënë ndjeshëm, veçanërisht në Shqipëri, Azerbajxhan, Maqedoninë e Veriut dhe Turqi.

Edhe shkalla e vdekshmërisë së të rriturve ka rënë ndjeshëm, me Kazakistanin, Rusinë dhe Ukrainën që kanë regjistruar përmirësimet më të larta. Sidoqoftë, shkalla e vdekshmërisë së të rriturve mbetet e larta në disa vende.

Rezultatet rajonale në arsim

Rezultatet e arsimit bazë në rajon ofrojnë një pamje të përzier, edhe pse rajoni performon mirë sipas standardeve globale.

Gjatë dekadës së kaluar janë rritur vitet e pritshme të shkollimit, me Azerbajxhanin, Shqipërinë, Malin e Zi, Poloninë dhe Rusinë që kanë regjistruar arritjet më të mëdha - kryesisht për shkak të përmirësimeve në regjistrimet në shkolla të mesme dhe sistemin parafillor.

Sidoqoftë, vitet e pritshme të shkollimit kanë rënë në një numër vendesh, duke përfshirë Bullgarinë, Moldavinë, Rumaninë dhe Ukrainën.

Cilësia e arsimit, mesatarisht, nuk është përmirësuar në mbarë rajonin gjatë dekadës së fundit. Vendet që kanë parë rënie të cilësisë së arsimit përfshijnë Bullgarinë dhe Ukrainën. Vendet që kanë arritur përmirësime në cilësinë e arsimit përfshijnë Shqipërinë, Moldavinë dhe Malin e Zi.

Globalisht, raporti IKNj bën thirrje për matje më të mirë të të dhënave që do t’u mundësojnë politikëbërësve të këtyre vendeve që mbështetjen ta shënjestrojnë për ata që kanë më shumë nevojë.

IKNj i Bankës Botërore shqyrton trajektoren e një fëmije, nga lindja deri në moshën 18 vjeç, përmes matjeve me rëndësi kritike, si- janë mbijetesa e fëmijëve (nga lindja deri në moshën 5 vjeç); vitet e pritshme të arsimit fillor dhe të mesëm të përshtatur për cilësinë; fëmijët e pazhvilluar; dhe nivelet e mbijetesës së të rriturve.

IKNj 2020 është i bazuar në të dhënat deri në mars të këtij viti, dhe ofron një vlerësim të rëndësishëm të nivelit bazë para pandemisë, vlerësim që mund të ndihmojë në informimin e politikave shëndetësore dhe arsimore dhe investimeve për rimëkëmbjen pas pandemisë.

 

Kalendari

Ngjarjet e datës 8 gusht 2023

 - Partia Demokratike e Kosovës, mban konferencë për media. (Selia Qendrore e PDK-së, ora 11:00)

 

 - Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, organizon shfaqjen e filmave “I Pabesi” dhe “Heshtja Vret”. (Kino “Armata”, ora 20:00)