29 Prill 2024

Bahtiri vizitoi institucione të ndryshme

Mitrovicë, 6 janar - Kryetari i komunës së Mitrovicës, Agim Bahtiri, ka vizituar të hënën disa institucione dhe organizata në Mitrovicë, për t’u njohur më për së afërmi me vështirësitë dhe problemet me të cilat ballafaqohen këto institucione, si dhe rritjen e bashkëpunimit ndërmjet komunës dhe këtyre institucioneve.
 
Gjatë vizitës në Qendrën Kryesore të Mjekësisë Familjare, drejtori i këtij institucioni, Fevzi Sylejmani, ka njoftuar kryetarin për ecurinë e punës në këtë qendër dhe në të gjithë rrjetin ambulator në komunë, ndërkaq kryetari Bahtiri kërkoi që të rritet niveli i shërbimeve shëndetësore.

Ai gjithashtu ka kërkuar nga drejtori i QKMF-së, që të bëhet zgjidhje sa i përket Qendrës së Mjekësisë Familjare në fshatin Bare, ku banorët kërkojnë që të punohet në dy ndërrime.

“Jam i vullnetit që t’ju mbështes në mënyrë që të rritet bashkëpunimi në të mirë të ofrimit të shërbimeve më të mira për qytetarët”, ka thënë Bahtiri.

Gjatë takimit me udhëheqësit e Policisë Rajonale, u bisedua për nivelin e sigurisë në jug, por edhe në veri të qytetit. Bahtiri kërkoi përkushtim nga ana e policisë në mënyrë që të parandalohet kontrabanda dhe të krijohet siguri për qytetarët pa dallim.

Ndërkaq, komandanti i stacionit jugor, Ahmet Xhosha, ka premtuar se do të bëhet gjithçka që është në kompetencë të policisë.

Bahtiri ka vizituar edhe spitalin rajonal, OJO Zëri i Prindërve, si dhe njësinë e zjarrfikësve, ku ka shprehur mbështetje për përmirësimin e shërbimeve edhe në këto dy institucione.
 

Kalendari

Ngjarjet e datës 8 gusht 2023

 - Partia Demokratike e Kosovës, mban konferencë për media. (Selia Qendrore e PDK-së, ora 11:00)

 

 - Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, organizon shfaqjen e filmave “I Pabesi” dhe “Heshtja Vret”. (Kino “Armata”, ora 20:00)