Bahtiri kërkon që Mitrovica të bëhet qendër për shërbimet shëndetësore
Mitrovicë, 27 janar - Kryetari i Komunës, Agim Bahtiri, ka organizuar një takim, në të cilin është biseduar për gjendjen aktuale në shëndetësinë e komunës dhe masat që duhet ndërmarrë për përmirësimin e kësaj gjendje.
Në takim morën pjesë nënkryetari i komunës, Safet Kamberi, drejtoresha e Drejtorisë për Shëndetësi në Mitrovicë, Nexharije Islami-Pllana, drejtori i Spitalit Rajonal, Mirdi Strana, drejtori i Qendrës Kryesore të Mjekësisë Familjare (QKMF), Fevzi Sylejmani dhe drejtues të shërbimeve të tjera, si të shëndetësisë primare ashtu edhe të asaj sekondare.
Kryetari i Komunës, Agim Bahtiri ju tha të pranishmëve se ka organizuar këtë takim me qëllim që të vlerësohet gjendja reale në shëndetësinë e komunës dhe të zgjidhen problemet prezente, aq sa lejojnë mundësit materiale, në mënyrë që shërbimet ndaj qytetarëve të jenë sa më cilësore, sa më të shpejta dhe sa më afër tyre.
Drejtori i Spitalit Rajonal, Dr. Mirdi Strana, tha se ndonëse shëndetësia sekondare menaxhohet nga niveli qendror, i është mirënjohës kryetarit Bahtiri që e ka organizua këtë takim, për të biseduar për problemet në shëndetësinë e komunës dhe për bashkëpunimin midis shëndetësisë primare dhe asaj sekondare, pasi që të dyja ofrojnë shërbime për qytetarët e komunës dhe rajonit dhe është në të mirë të qytetarëve që mos të ketë probleme.
Ai tha se në Spitalin e Mitrovicës, shumica e shërbimeve janë të mbuluara me kuadër adekuat dhe ofrojnë shërbime cilësore dhe në kohën e duhur për qytetarët që e kërkojnë këtë. Mirëpo, sipas tij ka edhe mungesë të specialistëve në disa shërbime dhe për këtë arsye janë në përgatitje e sipër 32 kuadro-specializant, që kur të përfundojnë specializimin duhet të kthehen në Mitrovicë, sepse ashtu i obligon kontrata.
Po ashtu, Strana tha se edhe pajisjet në spitalin rajonal të Mitrovicës janë më të sofistikuara dhe ofrojnë mundësi të mira për diagnostifikim të pacientëve dhe për shërbimet profesionale të mjekëve. Përpos pacientëve të Mitrovicës dhe rajonit në spitalin tonë shërbime kërkojnë edhe qytetarë nga veriu, siç janë boshnjakët, serbët dhe të tjerë , tha ai.
Drejtori i QKMF-së, Dr.Fevzi Sylejmani tha se në këtë qendër mjekësore janë bërë reforma të mëdha, por ka ende probleme dhe vështirësi të cilat me ndihmën e komunës do të tejkalohen. Ai shtoj se edhe sa i përket hapësirës ka disa vështirësi, pasi që një hapësirë të mirë të ndërtesës e shfrytëzon spitali për shërbimet ambulantore. Sipas tij ka edhe probleme të tjera financiare, për tejkalimin e të cilave duhet të ndihmoj edhe spitali, meqë e shfrytëzon hapësirën dhe shërbime të tjera, siç janë rryma, uji, largimi i mbeturinave etj.
Në takim u bë fjalë edhe për disa probleme të aspektit profesional e që kishin të bëjnë me kompetencat e ofrimit të shërbimeve shëndetësore për qytetarët, për ët cilat u tha se duhet të diskutohen më detajisht dhe të zgjidhen në të mirë të pacientëve.
Lidhur me problemet në shëndetësi diskutuan edhe nënkryetari Safet Kamberi, drejtoresha për shëndetësi, Nexharije Islami-Pllana, etj.
Kryetari Bahtiri, e vlerësoj takimin si të suksesshëm, duke thënë se bashkëpunimi midis dy niveleve shëndetësore dhe komunës duhet të jetë i vazhdueshëm dhe i frytshëm, në mënyrë që të gjitha shërbimet shëndetësore që qytetarët i kërkojnë, të ju ofrohen këtu dhe mos të lejohen të bredhin nëpër qendra të tjera mjekësore.
Ai premtoj se komuna dhe të gjitha institucionet tjera të pushtetit lokal do të ndihmojnë shëndetësinë me të gjitha forcat dhe kapacitetet, me qëllim që Mitrovica të bëhet sërish njëra nga qendrat më të njohura në vend sa i përket ofrimit të shërbimeve shëndetësore.