Asnjëri në shtëpinë e të moshuarve nuk ka rezultuar i infektuar me COVID-19
Prishtinë, 7 maj - Kryeministri në detyrë i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, sot gjatë ditës, së bashku me ministrin në detyrë të Shëndetësisë, Arben Vitia dhe zv. ministrin në detyrë të Financave dhe Transfereve, Ilir Aliu, vizituan Shtëpinë e Personave të Moshuar në Prishtinë.
Aty u pritën nga stafi drejtues, përkujdesës dhe rezidentët e këtij institucioni shumë të rëndësishëm për shoqërinë tonë.
Në kuadër të Shtëpisë për Persona të Moshuar dhe pa Përkujdesje Familjare janë të strehuar dhe marrinë shërbime 76 rezidentë, të cilët janë nën kujdes 24 orë nga një staf prej 58 vetash.
Pas situatës së krijuar me pandeminë COVID-19, dhe duke e parasysh rrezikshmërinë e lartë që virusi Corona paraqet për të moshuarit, stafi drejtues dhe përkujdesës ka ndërmarrë veprimet e duhura dhe të menjëhershme për ruajtjen e shëndetit të të moshuarve rezidentë.
Këto veprime përfshijnë dezinfektimin e hapësirave ku qëndrojnë dhe jetojnë të moshuarit, furnizimin e rregullt me mjete mbrojtëse dhe ndalimi në hyrje-dalje nga institucioni dhe ndalimin e vizitave familjarëve.
Si rrjedhojë, asnjëri nga të moshuarit rezidentë dhe askush nga stafi nuk ka rezultuar i infektuar me COVID-19.
Kryeministri në detyrë i falënderoi për mirëpritjen dhe u uroi të gjithë të moshuarve rezidentë shëndet. Stafin e falënderoi për kujdesin e vazhdueshëm ndaj tyre.
Ai theksoi se shteti duhet të dëshmohet me të moshuarit, gratë dhe fëmijët, dhe për këtë arsye të moshuarit dhe Shtëpia e Personave të Moshuar do ta kenë mbështetjen e tij dhe të Qeverisë në detyrë.