Arrin në SHBA mutacioni i koronavirusit të zbuluar në Brazil
Washington, 27 janar - Testet laboratorike nga Departamenti i Shëndetësisë së Minesotës kanë konfirmuar rastin e parë të njohur të variantit të koronavirusit të gjetur fillimisht në Brazil, tha kjo agjenci mbrëmjen e së hënës.
Njoftimi erdhi ndërsa Presidenti Joe Biden nënshkroi një urdhër për zgjatjen e ndalimit të udhëtimit nga disa shtete. Në bazë të këtij urdhëri, pothuajse të gjithë jo-amerikanëve që kanë qënë kohët e fundit në Brazil, Afrikën e Jugut, Britani, Irlandë dhe 26 vende të tjera evropiane nuk u lejohet hyrja në Shtetet e Bashkuara.
Lidhur me vaksinimin, Presidenti Biden u tha gazetarëve se ka gjasa që 1 milion doza në ditë ose më shumë do të jenë gati në rreth tre javë.
“Nëse përdorim maskat nga tani e deri në fund të prillit, ekspertët thonë se mund të jemi në gjendje të shpëtojmë 50,000 jetë”, tha Presidenti Biden.
Drejtoresha e Qendrave Amerikane për Kontrollin dhe Parandalimin e Sëmundjeve (CDC) tha të dielën se qeveria federale po shton përpjekjet për të gjurmuar mutacionet e koronavirusit ndërsa variante të reja më ngjitëse po shfaqen nëpër botë.
Varianti i virusit SARS-CoV-2 i njohur si Brazil P.1 u zbulua nga një mostër e marrë nga një individ që jeton në Minesota, që kishte qënë kohët e fundit në Brazil, thuhet në deklaratën e shtypit të departamentit të shëndetësisë. Agjencia tha se kjo shënon rastin e parë në Shtetet e Bashkuara të variantit të zbuluar për herë të parë në Brazil.
Ndërsa mendohet se varianti i virusit të zbuluar në Brazil të jetë më ngjitës se lloji fillestar i koronavirusit, ende nuk dihet nëse sëmundja që shkakton është më e rëndë.
Ngjashmëritë mes variantit të zbuluarnë Brazil dhe atij në Afrikën e Jugut, i cili zvogëlon efikasitetin e trajtimit me antitrupa, sugjeron se varianti i gjetur në Brazil gjithashtu mund të rezistojë ndaj trajtimit me antitrupa, kanë thënë shkencëtarët. Varianti i identifikuar fillimisht në Britani tashmë është zbuluar në të paktën 20 shtete amerikane.