Arrijnë mbi 35 mijë doza të vaksinës kundër COVID-19 të dhuruar nga SHBA
Prishtinë, 20 gusht - Ka arritur sot kontingjenti prej 35 mijë e 100 dozash të vaksinës kundër COVID-19, Pfizer/BioNTech, dhuruar nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës, përmes programit COVAX.
Kryeministri Kurti mori pjesë në ceremoninë e pranimit, ku të pranishëm ishin edhe Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, ministri i Shëndetësisë, Arben Vitia, ambasadori i Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Kosovë, Philip Kosnett si dhe koordinatorja për Zhvillim e Kombeve të Bashkuara në Kosovë, Ulrika Richardson.
Në fjalën e tij para të pranishmëve, kryeministri Kurti tha se vendi ynë është mirënjohës dhe falënderues për mbështetjen e vazhdueshme dhe solidaritetin nga të gjithë, e veçanërisht nga miqtë dhe aleatët tanë, Shtetet e Bashkuara të Amerikës.
“Në emër të qeverisë dhe qytetarëve të Kosovës, falënderoj aleancën COVAX dhe të gjithë ata që po dhurojnë në këtë aleancë, për përkrahjen e dhënë në një periudhë të vështirë në mars të këtij viti dhe për vazhdimin e kësaj përkrahje tani që po përballemi me përhapjen eksplozive të variantit Delta të virusit”, veçoi ai.
Deri më tani kemi arritur të vaksinojmë 232 mijë e 993 qytetarë me dozën e dytën, u shpreh më tej kryeministri Kurti, duke thënë se prej fillimit të vaksinimit në të gjitha qytetet e Kosovës janë dhënë 680 mije e 101 doza të vaksinës.
Kryeministri Kurti u zotua se Qeveria e Kosovës do të angazhohet maksimalisht që të përmbushë synimin që brenda vitit të imunizohen 60% të popullatës në grupmoshën e atyre që duhet vaksinuar.