Arrestohet Ilir Dushi, kryeshef i AKPM-së
Ky operacion policor ka rezultuar me arrestimin e tre (3) personave të dyshuar, nën dyshimin e bazuar se të njëjtit kanë kryer veprat penale Keqpërdorim i pozitës apo autoritetit zyrtar, neni 422 Tregti e ndaluar, neni 305 dhe Mashtrim i blerësve, neni 299.
Operacioni është zhvilluar me aplikimin e masave të fshehta teknike të vëzhgimit dhe hetimit, nën mbikëqyrjen e prokurorit të prokurorisë themelore në Prishtinë.
Të arrestuarit janë dërguar para prokurorit të çështjes për zbatimin e procedurave të mëtutjeshme ligjore.
Edhe Ministria e Shëndetësisë e Republikës së Kosovës ka bërë të ditur se sot është njoftuar nga zyrtarë të Policisë së Kosovës-Njësia për krime ekonomike, se dy zyrtarë të lartë të Agjencisë së Kosovës për Produkte Medicinale (AKPM) Ilir Dushi, kryeshef ekzekutiv i këtij agjensioni dhe Haki Ejupi, drejtor i licencimit, janë arrestuar nga Policia e Kosovës nën dyshimet për shpërdorim të detyrës zyrtare.
MSh do të bashkëpunojnë me organet e hetuesisë dhe të rendit për të zbardhur rrethanat e çështjes, pa e paragjykuar fajësinë apo pafajësinë e dy zyrtarëve të arrestuar.
Ndërkohë, Ministri i Shëndetësisë, Ferid Agani, bazuar në kompetencat ligjore ka marrë vendim për pezullimin e z. Ilir Dushi, nga pozita e Kryeshefit Ekzekutiv të AKPM-së dhe kanë filluar procedurat për emërimin e Ushtruesit të Detyrës së Kryeshefit të AKPM-së.