Aplikimi i radioterapisë mbetet sfidë e MSH
Prishtinë, 26 korrik - Sekretari i Përgjithshëm i Ministrisë së Shëndetësisë, Ilir Tolaj, priti sot në një takim një ekip ekspertësh nga Qendra Ndërkombëtare për Hulumtimin e Kancerit në Lion të Francës, që është Qendër Kolaborative e OBSh-së për Kancer.
Ky ekip që po qëndron në Kosovë për vizitë pune me ftesë të Zyrës së OBSh-së në Prishtine, është i përbërë nga Dr. Stefano Rosso (udhëheqës i ekipit) nga Regjistri Kancerit në Piedmong të Torinos-Itali, Dr Jean-Michel Lutz nga Instituti Kombëtar për Epidemiologjinë dhe Regjistrin e Kancerit nga Cyrihu-Zvicër dhe Dr. Andrea Micheli nga Instituti Kombëtar për Kancer në Milano Itali.
Sekretari Tolaj e ka njoftuar ekipin e ekspertëve me situatën rreth kancerit në Kosovë, duke theksuar se javën e kaluar ka filluar për herë të parë punën Bordi për Zhvillimin e Programit Shtetëror për Kontrollin e Kancerit me dy komitetet e tij, qasjen aktuale të institucioneve shëndetësore në Kosovë në trajtimin e kancerit, duke theksuar se në Kosovë aplikohet trajtimi i ndarë kirurgjik i kancerit, aplikohet kimioterapia, por në sektorin publik mbetet ende sfidë aplikimi i radioterapisë.
Në këtë aspekt, ai ka folur edhe për kapacitet fizike të Institutit të Onkologjisë, numrin shumë të vogël të onkologëve kosovarë, por edhe mundësitë e kufizuara buxhetore në shëndetësi.
Sidoqoftë, Sekretari Tolaj, ka theksuar se prioritet i MSh-së mbetet funksionalizimi i radioterapisë në sektorin publik, ku ka iniciativa të ndryshme, sikur që ka edhe shumë vështirësi, derisa ka shprehur bindjen se Bordi për Zhvillimin e Programit Shtetëror për Kontrollin e kancerit, Koordinatori dhe ekipet punuese, do të arrijnë që të ndërtojnë regjistrin e kancerit dhe një Strategji për Parandalimin dhe Kontrollin e Kancerit në Kosovë.
Nga ana e tyre, ekspertët Rosso, Lutz dhe Micheli janë interesuar për aspekte të ndryshme të kësaj problematike në Kosovë, duke dhënë në të njëjtën kohë edhe shembuj se si Komisioni Evropian dhe vende të ndryshme, iu kanë qasur adresimit të problematikës së kancerit.
Krejt vizita e tyre në Kosovë do të ketë për temë kryesore Regjistrin e kancerit në Kosovë dhe çështje të tjera, të ndërlidhura me mundësinë e zhvillimit të Programit Shtetëror për Kontrollin e Kancerit në Kosovë.
Ekipi i ekspertëve ndërkombëtar janë takuar sot edhe me drejtorin e IKSHP-së, Naser Ramadani, me zyrtaren e Shëndetit të Nënës e Fëmijës në MSH, Merita Vuthaj, zyrtarë të MSH-së përgjegjës për Mjekësinë Familjare, zyrtarë të UNFPA-së dhe të shoqërisë civile që veprojnë në fushën e luftës kundër kancerit.
Nesër, ndërkaq, ky ekip, do të ketë në IKSHP ( nga ora 09-11:30) një takim të përbashkët me zyrtarë të lartë të MSH-së, Bordin për Zhvillimin e Programit Shtetëror për Kontrollin e Kancerit në Kosovë, përfaqësues të Komisionit Parlamentar për Shëndetësi dhe Mirëqenie Sociale, agjencive të KB në Kosovë për të përmbyllur vizitën e tyre me ndonjë raport vlerësues dhe rekomandime.