Apeli i QKUK-së: më pak vizita familjare
Prishtinë, 14 korrik - Qendra Klinike Universitare e Kosovës (QKUK) apelon tek gjithë familjarët e pacientëve të zvogëlojnë në maksimum praninë e tyre në klinikat dhe hapësirat e QKUK-së.
Zëdhënësi i QKUK-së, Shpend Fazliu ka thënë së prania e madhe e palëve krijon vështirësi gjatë kryerjes së punës së stafit mjekësor dhe shton rrezikun e përhapjes së infeksioneve brenda spitalore.
"Zvogëlimi i pranisë së palëve në hapësirat spitalore do të ndikonte dukshëm në ngritjen e higjienës dhe në përmirësimin e shërbimeve shëndetësore", ka thënë ai.
Qytetarët sipas Fazliut duhet të kenë kujdes sidomos në disa reparte më specifike si Mjekimi Intensiv Qendror, sallat e operacionit dhe Qendrën Emergjente.
QKUK njofton gjithë qytetarët se edhe në Mjekimin Intensiv Qendror do të kenë mundësi të marrin informatat për pacientët nga ora 13:00 deri në ora 14:00.
Orari i vizitave për repartet dhe klinikat e tjera do të mbetet i njëjtë nga ora 14:00 deri në ora 16:00.
Punëtorët që përkujdesen për sigurimin e objekteve fizike në QKUK do të ndalojnë gjithë qytetarët të cilët nuk i përmbahen këtij orari, andaj apelojmë që ti përmbaheni kësaj.
"Ndalimi i vizitave të panevojshëm të familjarëve është në të mirë të shëndetit të pacientëve", ka theksuar Fazliu.