Aktivizohet Grupi Vullnetarëve Kundër Coronavirusit
Prishtinë, 20 mars - Qysh prej evidentimit të rastit të parë, të infektuar me COVID-19, Grupi i Vullnetarëve Kundër Coronavirusit, është shndërruar në forum diskutimi dhe informimi për gjendjen aktuale në Kosovë.
Grupi ka inicuar krijimin e databazës me të dhëna për rastet në nevojë – e cila do t’u dërgohet institucioneve kompetente dhe donatorëve të mundshëm – dhe ka hartuar dy platforma online të regjistrimit: platformën për vullnetarët shëndetësore dhe platformën për regjistrimin online të vullnetarëve të profileve tjera.
Po ashtu, janë përpiluar fletushka me informata për vullnetarët e gatshëm për të konribuar. Në këtë grup vazhdimisht publikohen lajme, këshilla dhe informacione të ndryshme lidhur me Covid-19.
Grupi i Vullnetarëve Kundër Coronavirusit në Kosovë potencon që qëllimi kryesor është ofrimi i ndihmës në çfarëdo situate që kërkohet, qoftë për institucionet edhe për individët apo familjet që kërkojnë ndihmë.
Ekzistojnë shembuj konkretë kur dikush ka kërkuar ndihmë për një familje në nevojë dhe nëpërmjet grupit është lajmëruar vullnetari që ka ofruar ndihmë për atë rast.
Deri më tani janë lajmëruar mbi 160 mjekë e infermierë dhe mbi 100 vullnetarë të tjerë, të cilët janë të garshëm të dalin në terren për të ndihmuar, por duhet cekur që asnjë veprim i Grupit të Vullnetarëve Kundër Coronavirusit nuk do të ndërmerret pa koordinim të ngushtë me isntitucionet përgjegjëse.
Ky grup, me rreth 5 mijë anëtarë, ka për qëllim vetëdijësimin dhe parandalimin e panikës dhe është një urë lidhëse në mes të atyre që kanë nevojë për ndihmë në formë të ndryshme – me institucionet e Republikës së Kosovës.
Grupi i Vullnetarëve Kundër Coronavirusit është inicuar nga ekipi i organizatës joqeveritare “Let’s Do It Kosova” me qëllim të bashkimit të të gjithë atyre qytetarëve që duan të kontribuojnë vullnetarisht për të menaxhuar sa më me lehtësi situatën e krijuar si pasojë e coronavirusit.
Poashtu qëllim i këtij grupi është shpërndarja e saktë e informatave të ndryshme në lidhje me masat parandaluese ndaj këtij virusi si dhe në koordinim me institucionet përgjegjëse të jap ndihmë për qytetarët në nevojë.