AKK mbyll rastin e Kryeinspektores Shëndetësore
Prishtinë, 24 maj - Ministria e Shëndetësisë informon opinionin se Agjencia kundër Korrupsionit e Republikës së Kosovës ka mbyllur rastin e Kryeinspektores Shëndetësore të Ministrisë së Shëndetësisë, Dr. Ardita Baraku, me një vendim përmes të cilit bëhet e njohur se nuk ka të dhëna të mjaftueshme që argumentojnë dyshimin e arsyeshëm për ekzistimin e konfliktit të interesit për ushtrimin e detyrës së Kryeinspektorit Shëndetësor dhe angazhimin në shkollimin specialistik post-diplomik.
Duke u bazuar në nenin 11, paragrafi 1.1, nenin 5, paragrafi 1.5 dhe nenin 18 paragrafi10 dhe 11 të Ligjit nr. 03/L-159 për Agjencinë kundër Korrupsionit si dhe nenin 29, paragrafi 1, pika d) si dhe 29.3 të Rregullores së Punës së Agjencisë kundër Korrupsionit, Drejtori i Agjencisë kundër Korrupsionit, me datë 14.05. 2014, nxjerr këtë vendim:
Mbyllet rasti me nr. AKK-03-3918/12, për znj. Ardita Baraku, Kryeinspektore shëndetësore, në Ministrinë e Shëndetësisë, për shkak se nuk ka të dhëna të mjaftueshme që argumentojnë dyshimin për ekzistimin e konfliktit të interesit, thuhet në këtë vendim të AKK-së.
MSh mirëpret këtë vendim, i cili argumenton pohimet e vazhduara të MSH-së se Kryeinspektorja është duke e ushtruar detyrën e saj në përputhje të plotë me ligjet në fuqi.