Agani: Vit i fillimit të reformës në shëndetësi
Prishtinë, 21 dhjetor - Ministri i Shëndetësisë i Republikës së Kosovës, prof. dr. Ferid Agani, tha sot se viti 2012 ishte një vit sfidues për shëndetësinë kosovare, por edhe një vit i fillimit të reformës në shëndetësi.
Ai vlerësoi kështu në Konferencën vjetore për media, në të cilën u prezantua raporti i arritjeve gjatë vitit 2012, sfidat dhe problemet që e kanë përcjellë shëndetësinë kosovare gjatë këtij viti si dhe objektivat për vitin 2013.
Ministri Agani tha se ky vit po përmbyllet me miratimin e Ligjit të ri të Shëndetësisë, i cili hap procesin e reformave të thella në shëndetësi, për ti dhënë fund një sistemi shëndetësor që ka funksionuar me shumë probleme , për të hapur rrugë për një sistem të ri , të riorganizuar dhe me një financim të qëndrueshëm.
Si rezultat i parë i kësaj reforme, theksoi Ministri, është edhe rritja prej 21.5 për qind e buxhetit për shëndetësinë për vitin 2013, i cili prej 88 milionë sa ishte për 2012, në vitin 2013 do të jetë në 106.795.857 (për nivelin sekondar dhe terciar).
Prej kësaj shume, për paga janë 4.783.647 euro, për mallra dhe shërbime 11.621.398 euro, 1 milionë euro më shumë në Programin për Trajtim Jashtë Institucioneve Publike Shëndetësore, investime kapitale më shumë për 850.000 euro..., tha Ministri.
Ai tha se gjatë këtij viti MSH ka arritur ta përmirësojë kornizën ligjore, me miratimin e Ligjit të ri të Shëndetësisë, miratimit në parim në Kuvendin e Kosovës të Projektligjit për Kontrollin e Duhanit, Projektligjit për Odat e Profesionistëve Shëndetësor, hartimin e Projektligjit për Kontrollin e Duhanit, aprovimin në qeveri të Projektligjit për Transplantimin e qelizave dhe indeve, Projektligjit për transplantimin e organeve dhe Projektligjit për produkte dhe pajisje dhe pajisje mjekësore dhe Strategjisë së Cilësisë së Shërbimeve.
Ministri shpjegoi më tej se në vitin 2012, MSh ka ndarë 246 specializime, duke ndarë specializime për herë të parë edhe për Luginën e Preshevës e Mal të Zi, në mënyrë të veçantë për SR të Mitrovicës, ka punësuar 143 profesionistë shëndetësor, ka trajnuar jashtë vendit përmes Bordit për Zhvillim Profesional 114 punonjës shëndetësor, derisa më 2013, do të punësohen 320 profesionistë shëndetësor, do të funksionalizohen Kardiokirurgjia (për çka Qeveria italiane ka ndarë 1.2 mil euro donacione) dhe Radioterapia për terapi kurative, derisa buxheti për barna është ngritur për 13.2 për qind apo mbi 3 milionë euro.
Ai ka theksuar edhe faktin se gjatë 2012, përmes Programit për Trajtim Jashtë Institucioneve Shëndetësore Publike ( më parë Trajtimi Jashtë Vendit) janë trajtuar 667 pacientë prej 1368 aplikacioneve, prej të cilave 525 janë trajtuar në institucionet private në Kosovë.
Kjo tregon se janë ngritur shërbime të reja këtu dhe shumica e mjeteve të këtij program kanë ngelur në Kosovë, tha Ministri.
Ministri ka folur edhe për zhvillimin e tre moduleve në Sistemin e Informimit Shëndetësor (modulit të statistikave shëndetësore, modulin e stokut farmaceutik dhe modulit të burimeve njerëzore), për çka janë shpenzuar 225.405 euro, derisa 1 milionë euro të MSH-së në Projektin KSV 014 do të përdoren më 2013.
Ministri Agani ka vlerësuar lart kontributin dhe bashkëpunimin me donatorët, duke shquar se si rezultat i këtij bashkëpunimi të mirë gjatë këtij viti MSh është përkrahur me 1.5 milionë euro nga Qeveria e Luksemburgut për Projektin përkrahje shëndetësisë KSV 014, Psikiatria forenzike me 1.2 milionë euro nga Komisioni Evropian, Psikologjia klinike me 600.000 franga zvicerane nga Qeveria e këtij shteti, UNICEF-UNFPA-OBSH në programin për përmirësimin e shëndetit të nënës dhe fëmijë me 2.5 mil euro, nga Project Hope (SHBA) është ndihmuar me 7 milionë euro barna dhe pajisje mjekësore, Fondi Global me 331.992 euro për Programin me Metadon dhe 2.3 mil euro për barnat antituberkulare dhe HIV/AIDS, mjekësore, nga JICA japoneze në trajnimin e 5 menaxherëve shëndetësor dhe bashkëpunime të tjera.
Në këtë konferencë për media janë prezantuar të arriturat edhe në fushën e shëndetit publik, nga Inspektorati Shëndetësor, ato të Agjensionit Kosovar për Produkte dhe Pajisje Mjekësore (AKPM) dhe segmentet e tjera, përfshirë edhe investimet kapitale në QKUK dhe komuna.
Duke vlerësuar se Ministria është përballur edhe më vështirësi për shkak të ngjarjeve që kishin ndodhur në këtë Ministri në fillim të këtij viti, Ministri Agani tha se është i kënaqur me të arriturat, duke ditur në çfarë rrethana është punuar.
Ai shprehu bindjen se viti 2013 do të jetë një vit i zhvillimit të reformave, ku objektiva mbesin: funksionalizimi i Shërbimit Spitalor dhe Klinik Universitare të Kosovës ( i themeluar me Ligjin e ri të Shëndetësisë), funksionalizimi i Agjencisë së Financimit të Shëndetësisë, themelimi i Odave të Profesionistëve Shëndetësor, zbatimi i Ligjit për Kontrollin e Duhanit dhe objektivat të tjera.
Ne besojmë fuqishëm se shëndetësia po merr orientimin e duhur dhe rezultatet kanë filluar të shihen dhe këtë besojmë se do të dinë ta çmojnë qytetarët dhe profesionistët shëndetësor. Reformën që do ta bëjmë, do zhvillojmë me ta, sepse kjo është në interesin e tyre, tha Ministri Agani.