22 Dhjetor 2024

Agani: Shëndetësinë do të nxjerrim nga faza emergjente

Prishtinë, 16 mars - Ministri i Shëndetësisë i Republikës së Kosovës, dr. Ferdi Agani me bashkëpunëtorë, gjatë ditës së sotme ka vizituar Qendrën Klinike Universitare të Kosovës, me ç’rast për së afërmi është njoftuar për punën, aktivitetet dhe problemet me të cilat përballet QKUK. 

Fillimisht ai është takuar me Dr Lulzim Emini, Ud. i Drejtorit Ekzekutiv në QKUK, nga i cili është njoftuar për punën që po bëhet në QKUK dhe për planet e parapara për realizim në vijim.

Më pas, Ministri Agani i shoqëruar edhe nga Sekretari i Përhershëm i MSH-së, Dr. Ilir Tolaj, ka marrë pjesë në mbledhjen e Këshillit Profesional, ku edhe shpalosi planin e tij të punës dhe  prioritet e tij si Ministër i Shëndetësisë.

Më pas, ai ka vizituar disa klinika  në QKUK-së dhe ka biseduar me punëtorët shëndetësorë dhe  pacientët që po mjekohen. 

Ai vizitoi Klinikën e Kirurgjisë së Fëmijëve, Klinikën e Kirurgjisë dhe Qendrën Emergjente. Dr Agani shprehu mbështetjen e tij dhe të Ministrisë së Shëndetësisë për përmirësimin e gjendjes së përgjithëshme në shëndetësi.

Duke folur për media, Ministri i Shëndetësisë, tha se shëndetësia kosovare ende është në fazën emergjente, fazë kjo që kishte filluar në vitin 2003, e  që  fatkeqësisht ende nuk është arritur të tejkalohet. 

Ai premtoi se do të angazhohet për përmirësimin e t infrastrukturës ligjore, me ç’rast do të përmirësohej në përgjithësi gjendja në shëndetësi.

“Do të angazhohem që deri në muajin qershor, të dërgojmë në Parlament për shqyrtim Ligjin për Shëndetësi me ndryshimet e nevojshme, Ligjin për Sigurime Shëndetësore dhe Ligjin për Pajisje dhe Produkte Medicinale, i cili duhet të ndryshohet” theksoi ai.

Sipas tij, ka mangësi të shumta edhe për sa  i përket sistemit të financimit, për të cilin ai do të angazhohet të bëjë ndryshime pozitive.

Ministri Agani vlerësoi lartë punën e bërë në QKUK nga ana e punëtorëve shëndetësore, duke shtuar se shifrat statistikore flasin se është bërë dhe po bëhet punë e mirë, përkundër problemeve me të cilat po përballemi.

“Do të punojmë që të kthejmë besimin e humbur nga pacientët, ndërsa shëndetësia kosovare nga faza emergjente të kaloj në fazën e zhvillimit të saj”. 

Ministri i Shëndetësisë, theksoi se do të bëjë çmos që të ketë përmirësime edhe për sa i përket furnizimit me barna dhe material shpenzues, ndërsa për këtë do të përdorë të gjitha mekanizmat e nevojshme, përderisa pret që rezultatet e gjithë kësaj të shihen në 100 ditët e punës së tij dhe Qeverisë së Republikës së Kosovës. 

Sipas tij,  pas angazhimeve konkrete do të punohet që klinikat ta kenë  “shportën emergjente” dhe mos të mbesin pa barna dhe material shpenzues, ndërsa do të korrigjohen lëshimet eventuale që mund të jenë lëshuar më herët. Për të gjitha këto, ai tha se do të vë në përdorim edhe përvojat e shteteve të tjera, si Shqipëria dhe Maqedonia, të cilat kanë përparuar në këtë aspekt.

Ministri po ashtu, foli edhe për decentralizimin, duke shpjeguar se decentralizmi apo ndarja e përgjegjësive do të filloj nga Ministria e Shëndetësisë tek institucionet tjera vartëse.

Duke folur për projektet kapitale, Dr Agani, u shpreh se përmes donatorëve të ndryshëm do të mundohet që të shpien  përpara projektet e klinikave,  ndërsa shpjegoi se javën që vjen pritet të vijë një ekip mjekësore me mjekë dhe ekspertë shëndetësor nga Turqia, e që pritet ta ndihmojnë shëndetësinë kosovare.

Në anën tjetër Dr Lulzim Emini, Ud. Drejtorit Ekzekutiv, tha se është angazhuar, po angazhohet dhe do të angazhohet që të ketë investime të reja kapitale në QKUK, të përmirësohet zbatimi i ligjshmërisë, të ketë furnizim më të mirë me aparaturë mjekësore dhe të përmirësohet infrastruktura dhe kushtet e punës për punëtorët. 

Kalendari

Ngjarjet e datës 8 gusht 2023

 - Partia Demokratike e Kosovës, mban konferencë për media. (Selia Qendrore e PDK-së, ora 11:00)

 

 - Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, organizon shfaqjen e filmave “I Pabesi” dhe “Heshtja Vret”. (Kino “Armata”, ora 20:00)