Agani: Reformat do të rezultojnë me ndryshime pozitive
Prishtinë, 30 mars - Ministri i Shëndetësisë i Republikës së Kosovës, dr. Ferid Agani, tha sot se reformat e filluara në shëndetësi do të rezultojnë me ndryshime pozitive, ndërsa ky proces do të jetë gradual, por dinamik.
Ministri Agani deklaroi kështu në Qendrën e Zhvillimit të Mjekësisë Familjare të Kosovës (QZHMFK), në ceremoninë e certifikimit të 87 specialistëve të rinj në Mjekësi Familjare, pasi ata kanë kompletuar me sukses programin tre vjeçar të Edukimit Specialistik Pasdiplomik - ESP në Mjekësi Familjare , një program ky i akredituar ndërkombëtarisht nga Kolegji Mbretëror i Mjekëve të Përgjithshëm të Britanisë së Madhe (Royall College of General Practitioners RCGP).
Duke folur para një pjesëmarrje impresive të specialistëve të Mjekësisë familjare dhe zyrtarëve shëndetësor të niveleve të ndryshme, Ministri Agani, tha se procesi i reformave i nisur i ka tri shtylla dhe bazohet në objektivat afatshkurtra dhe ato afatgjata.
Shtylla e parë e reformës, theksoi ai, është riorganizimi i MSh-së që Ministria të jetë në gjendje ta bart reformën; shtylla e dytë-sjellja e sistemit publik shëndetësor në pozitë sa më të barabartë me sistemin privat përmes transformimit të tij pronësor dhe juridik në ndërmarrje publike me tre korporata: nga një për secilin nivel (Parësorin, Dytësorin dhe Tretësorin), dhe shtylla e tretë-themelimi Sistemit të Sigurimeve Shëndetësore që është e domosdoshme të bëhet.
Sa është i domosdoshëm aq është edhe i vështire realizimi i Sistemit të Sigurimeve Shëndetësore, por ky do të jetë një proces dinamik, që do të realizohet në mënyrë graduale, tha Ministri Agani, duke theksuar se reforma do të zhvillohet në baza ditore.
Ndërkaq, duke i uruar specialistët e rinj të Mjekësisë Familjare për certifikimin, Ministri u tha atyre se Kujdesi Parësor Shëndetësor duhet të fillojë të ndryshojë në pajtim me dijen profesionale dhe organizative që kanë mbërri ata dhe kërkoi nga specialistët që ta ngrenë nivelin e profesionalizmit dhe të jenë vërtetë mjekë të familjes dhe ta kenë në vëmendje se reforma duhet ti shërbejë ngritjes së cilësisë së shërbimeve shëndetësore për pacientët.
Kurse, dr. Genc Ymerhalili, drejtor i QZHMFK-së, tha se reformimi i sistemit shëndetësor e ka bazën në konceptin e Mjekësisë Familjare , derisa ka theksuar se shëndetësia tani ka një rast të mirë që të reformohet duke qenë se në krye të saj, siç theksoi ai, duke aluduar në Ministrin Agani, e ka njeriun e duhur ne kohën dhe vendin e duhur.