25 Dhjetor 2024

Agani raportoi në Komisionin për Shëndetësi

Prishtinë, 4 dhjetor - Zbatimi i Ligjit për shëndetësi dhe vështirësitë që po e shoqërojnë atë, çështja e buxhetit dhe problemet në sektorin farmaceutik, ishin disa nga temat për të cilat ministri i Shëndetësisë, Ferid Agani, ka raportuar sot në Komisionin për Shëndetësi, Punë dhe Mirëqenie Sociale të Kuvendit të Kosovës, të kryesuar nga Fikrim Damka, kryetar.

Duke u përgjigjur në pyetjet dhe çështjet e ngritura nga ana e deputetëve lidhur me zbatimin e Ligjit për shëndetësi, ministri Agani potencoi një varg veprimesh të ndërmarra nga ministria që ai udhëheq, në funksion të kompletimit të infrastrukturës ligjore për kryerjen e reformave përkatëse, siç parashihet me këtë ligj.

Ai përmendi nxjerrjen e akteve të caktuara nënligjore, themelimin e Odës së punëtorëve shëndetësorë, përfitimin e fondeve nga Banka Botërore dhe qeveritë e Zvicrës dhe Luksemburgut për zbatimin e kësaj reforme etj.

Ministri Agani tha se reforma në shëndetësi po shihet si e domosdoshme nga të gjithë faktorët relevantë.

“Reforma është proces afatgjatë, megjithatë, rezultatet fillestare po shihen që tani”, theksoi ai. 

Sa i përket buxhetit, ministri tha se ai nuk i mbulon kërkesat dhe nevojat aktuale të sektorit shëndetësor në Kosovë, përderisa, sipas tij, është bërë edhe ndryshimi i skemës buxhetore në kuadër të ministrisë.

Ministri Agani e njoftoi komisionin edhe për angazhimin e specializantëve në shërbimin shëndetësor dhe stimulimin financiar të tyre, si dhe për nevojën e një planifikimi më të mirë të pranimit të studentëve nëpër degët përkatëse të mjekësisë, duke marrë për bazë nevojat e vendit dhe mundësitë absorbuese në lëmenj të caktuar.

Në takim u diskutua edhe për zhvillimet e fundit në sektorin farmaceutik, për të cilat raportoi dhe iu përgjigj pyetjeve të deputetëve, ushtruesi i detyrës së kryeshefit të Agjencisë Kosovare për Produkte Medicinale, Arianit Jakupi.
   

Kalendari

Ngjarjet e datës 8 gusht 2023

 - Partia Demokratike e Kosovës, mban konferencë për media. (Selia Qendrore e PDK-së, ora 11:00)

 

 - Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, organizon shfaqjen e filmave “I Pabesi” dhe “Heshtja Vret”. (Kino “Armata”, ora 20:00)