Agani priti drejtuesit e organizatës shëndetësore zvicerane
Prishtinë, 27 mars - Ministri i Shëndetësisë i Republikës së Kosovës, Ferid Agani priti sot në një takim Dr. Claude Bourquin dhe dr. Bernard Conne, drejtues të organizatës humanitare Planet Vision, të përbërë nga vullnetarë, të cilët që nga data 8 mars kanë kryer ekzaminime oftalmologjike te nxënësit e fshatrave të Komunës së Gjilanit: Cërnicë (510), Dobërçan (350) dhe Shillovë (180) dhe të një numër i të rriturve.
Në bashkëpunim me Ministrinë e Shëndetësisë dhe Shoqatën e Oftalmologëve të Kosovës, Planet Vision , që ka selinë në Gjenevë të Zvicrës, kanë ekzaminuar 1040 fëmijë në këto tri fshatra të komunës së Gjilanit për të zbuluar anomalitë refraktare të të pamurit.
Tek një numër i madh nxënësish ku oftalmologët e Planet Vision me oftalmologët kosovarë kanë gjetur anomali refraktare është bërë korrigjimi i tyre dhe janë dhënë donacion një numër i madh syzash për nxënësit që kanë pasur nevojë për vendosjen e tyre pas ekzaminimeve oftalmologjike.
Ministri Agani i falënderoi oftalmologët e Planet Vision për punën e bërë dhe ju premtoi se në bashkëpunim e MSH-në dhe Shoqatën e Oftalmologëve, ata do ta kenë përkrahjen që të realizojnë edhe bashkëpunime të tjera të kësaj natyre, me qëllim që anomalitë refraktare të të pamurit të zbulohen sa më herët tek nxënësit dhe të rinjtë dhe të korrigjohen me kohë.
Drejtuesit e Planet Vision që është organizatë e krijuar më 2009 i zhvillojnë aktivitetet e tyre humanitare në fushën e oftalmologjisë në bashkëpunim edhe me asociacionet e familjarëve dhe kjo organizatë operon në Kosovë me fushata promovuese oftalmologjike dhe të kontrollimit të fëmijëve për probleme shëndetësore të kësaj fushe që nga 2010 dhe 2011.