Agani merr pjesë në Forumin Evropian për Shëndetësi Gastein
Vjenë, 30 shtator - Ministri i Shëndetësisë i Republikës së Kosovës, Ferid Agani, do të marr pjesë në Forumin e 17-të Evropian për Shëndetësi Gastein në Austri, që organizohet me mbështetjen e programeve shëndetësore të Bashkimit Evropian.
Gjatë qëndrimit tre ditor në këtë forum, ku do të trajtohen tema lidhur me ndërtimin e politikave shëndetësore, lidershipin në shëndetësi publike, koordinimin e mbrojtjes shëndetësore, performancën shëndetësore dhe të tjera, Ministri Agani do të ketë takime me zyrtarë të lartë shëndetësor të shteteve pjesëmarrëse, me të cilët do të diskutohet për mbështetjen e reformës shëndetësore në Kosovë.
Ky forum, i cili mbahet në Salsburg prej 1-3 tetor 2014, paraqet konferencën kryesore sa u përket politikave shëndetësore në Evropë dhe qëllimi i saj është krijimi i një kornize për këshillimin dhe zhvillimin e politikave evropiane në fushën e shëndetësisë, duke njohur parimin e subsidiaritetit.