Agani: Mangësitë në farmaci nuk zgjidhen me shkop magjik
Prishtinë, 12 prill - Ministri i Shëndetësisë i Republikës së Kosovës, dr Ferid Agani, tha sot se greva e Shoqatës së Farmacistëve të Kosovës është një veprim i panevojshëm dhe që nuk i shërben tejkalimit të situatës së rëndë në sektorin farmaceutik te vendit.
Në një konferencë për media, të mbajtur në Ministrinë e Shëndetësisë, ministri Agani i njoftoi mediat se përkundër grevës së SHFK-së, barnatoret publike të institucioneve shëndetësore të vendit kanë vazhduar ti furnizojnë institucionet me barna dhe material shpenzues dhe nuk është vërejtur ndonjë dëm i theksuar nga greva.
Jemi koshient se ka shumë dobësi dhe mangësi në sistemin farmaceutik, të grumbulluara dhe akumuluara veçanërisht në 20 vjetët e fundit dhe, natyrisht, është e pamundur që me një shkop magjik për një periudhë të shkurtër të zgjidhen të gjitha problemet, tha Ministri Agani.
Ai tha se MSH është duke punuar me të gjithë vendimmarrësit në sektorin e farmacisë, me AKPM-në si pjesë e saj, Shoqatën e Farmacistëve të Kosovës, Shoqatën e Distributorëve,dhe shoqatat e tjera relevante, në mënyrë që të gjenden zgjidhjet e duhura ligjore dhe rezultatet e para të këtij plani të MSH-së, ministri theksoi se do të mund të shihen në fillim të muajit qershor kur pritet që në Qeveri e pastaj edhe në Kuvendin e Kosovës të dorëzohet Ligji me ndryshime për Produktet dhe Pajisjet Medicinale.
Në ndërkohë, theksoi Ministri Agani, gjatë muajit prill dhe maj, MSh do të nxjerrë dy udhëzime të reja administrative që do të rregullojnë çështjen e ndjeshme të regjistrimit të barnave , të cilat për momentin nuk janë të regjistruara në Kosovë, dhe të cilat janë subjekt i kërkesës së qytetarëve.
Edhe për këtë janë gjetur alternativa dhe ne do të shkojmë në atë drejtim që MSH do ti lehtësojë procedurat e regjistrimit të barnave nga të gjithë prodhuesit e BE-së, të regjistruara në Agjensionin Evropian të Produkteve Mjekësore, e pastaj edhe nga shtetet me të cilat MSH ka marrëveshje bilaterale.
Ministri shprehu bindjen se këto ndryshime do të tejkalojnë situatën aktuale, ku barnatoret e vendit janë sjellë në një situatë jo fort të volitshme, duke u ballafaquar me kërkesat e qytetarëve nga njëra anë për barna dhe nga pamundësia ligjore në anën tjetër që ato ti ofrojnë ato barna në rrugë ligjore.
Ministri Agani tha se MSh përshëndet veprimin e Doganave të Kosovës kur është në pyetje zbulimi i barnave të kontrabanduara.
Jemi të përkushtuar që ti ndihmojmë këto aksione duke e shpreh edhe gatishmërinë tonë që të jemi pjesë e ekipeve punuese të Doganës dhe të Drejtorisë për Krime Ekonomike, e cila po ashtu zhvillon aksionet e saja në gjithë territorin e vendit, në mënyrë që etiketa e kontrabandimit një herë e përgjithmonë të largohet nga institucionet shëndetësore të vendit dhe nga farmacistët të cilët ndoshta pa fajin e tyre janë sjellë në situate të pavolitshme, theksoi Ministri Agani.
Kreu i MSh-së tha se kjo Ministri është e përkushtuar që Ligji i cili i rregullon marrëdhëniet me sektorin farmaceutik, të gjitha ligjet e kësaj fushe, të zbatohen me përpikëri, përfshirë edhe sanksionet që janë të përcaktuara në këto ligje dhe në këtë aspekt, shtoi ai nuk kemi asnjë tolerancë për negociatë, por përkundrazi do të insistojmë që legjislacioni të zbatohet në mënyrën më të plotë dhe efektive brenda një periudhe sa më të shkurtër kohore.
Ministri Ferid Agani e ritheksoi qëndrimin e MSH-së, kundër grevës së SHFK-së.
Unë nuk e konsideroj të drejtë protestën për një arsye të vetme, sepse është thirrur në radhë të parë kundër veprimeve të Doganave të Kosovës, e po ashtu edhe për shkak se SHFK ka qenë mirë e njoftuar për proceset reformuese që i kemi iniciuar në MSh dhe ata janë pjesë e këtyre proceseve, tha Ministri duke shtuar se përgjegjësia i përket edhe AKPM-së, për arsye se barnatoret e vendit për arsye të ndryshme janë sjellë në situatë që të kenë barna pa banderola, që kanë qenë të detyruar në pajtim me ligjin që ti kenë ato dhe AKPM ka dështuar në sigurimin e tyre me kohë.