Agani ligjëron para studentëve për shëndetësinë kosovare
Prishtinë, 26 maj - Ministri i Shëndetësisë së Republikës së Kosovës Ferid Agani, mbajti një ligjëratë para studentëve të Kolegjit Universitar ISPE në Prishtinë, me temën Shëndetësia në Kosovë.
Ministri Agani, bëri një përshkrim të gjendjes së shëndetësisë nw Kosovw, duke e ndarë në tri faza: faza e parë vitet e okupimit serb, ku si pasojë sistemi shëndetësor ishte i shkatërruar thuajse plotësisht, faza e dytë, paslufta ku gjendja në sistemin shëndetësorë ishte e mjerueshme, dhe këtu hynë përpjekja e vazhdueshme për ngritjen e sistemit shëndetësorë emergjent nga ekspertë ndërkombëtarë me ndihmën e ekspertëve shëndetësor vendor e ku mund të themi se ishte sistem jofunksional dhe fazën e tretë, fillimi i krijimit të legjislacionit të ri për reformë shëndetësore që për qëllim kanë ndryshimin pozitiv të gjendjes në shëndetësinë kosovare.
Metoda që ndoqëm tha Agani, për të realizuar këtë qëllim, ishte reforma legjislative e cila do të ndërronte ligjin jofunksional në një ligj me sistem të ri organizativ.
Sistemi i kaluar që ministri Agani e quajti jofunksional, i cili ishte i shpërputhur me nevojat e pacientëve dhe për punën e profesionistëve shëndetësor, financimi shumë i ulët për kokë banori dhe mungesa e kapaciteteve menaxheriale ishin sfidat që e përcollën për një riorganizim të sistemit shëndetësor, që kishte një qëllim madhor dhe human, sigurimin e qasjes universale në shërbime cilësore të të gjithë qytetarëve pa pasur nevojë për të paguar shuma të mëdha parash për trajtime mjekësore.
Shtyllat kryesore të kësaj reforme janë pesë ligjet e miratuara në Kuvendin e Kosovës: Ligji Për Shëndetësi, Ligji i Sigurimeve Shëndetësore, Ligji i Odave të Profesionistëve shëndetësor, Ligji i Produkteve dhe Pajisjeve Medicinale dhe Ligji për Kontrollin e Duhanit, pa të cilat Ligji i Sigurimeve Shëndetësore nuk do ta kishte funksionimin e plot tha ai.
Ministri Agani, theksoi se këto veprime për të ndryshuar qasjen e një sistemi të kaluar në sektorin shëndetësor në një sistem decentralizues ka qenë një synim i kamotshëm i tij, ngase decentralizimi i shërbimit dhe financimit shëndetësorë është një reformë që do të sjellë shërbime më të mira për qytetarët e vendit.
Synimi i këtij Ligji është që çdo qytetar i Republikës së Kosovës të ketë qasje në shërbimet shëndetësore, pa marrë parasysh se a ka paguar a jo, ngase përkundër lirimit të afro 40 000 qytetarëve nga pagesa e sigurimit shëndetësorë, shteti do të jetë ai i cili do të paguaj për ata të cilët nuk kanë mundësi ekonomike të bëjnë një gjë të tillë, dhe ky veprim po bëhet në mënyrë që të ketë një fond të qëndrueshëm në ngritjen e shërbimeve shëndetësore më cilësore për popullatën e Kosovës.
Ministri Agani në fund të ligjëratës u përgjigj edhe në pyetjet e ndryshme të parashtruara nga studentët e ISPE-së.