Agani flet për Ligjin e Sigurimeve Shëndetësore
Prishtinë, 8 maj - Ministri i Shëndetësisë së Republikës së Kosovës, Ferid Agani, zhvilloi sot një debat me studentët e UBT në Prishtinë, lidhur me Ligjin e Sigurimeve Shëndetësore.
Përveç studentëve dhe mysafirë tjerë ministri Agani u prit edhe nga dekani i Fakultetit të Mediave dhe Komunikimit, prof. dr. Belul Beqaj dhe drejtori për Çështje Akademike, prof. dr. Ibrahim Krasniqi.
Ministri Agani, tha se për të ardhur deri te miratimi i këtij ligji ka pasur një rrugëtim të gjatë dhe me plot sfida, duke llogaritur edhe faktin se në të kaluarën ky ligj ishte kthyer dy herë prapa nga legjislaturat e mëhershme të Kuvendit të Kosovës.
Sistemi i kaluar shëndetësor, tha ministri Agani ishte anakronik, në shpërputhje me nevojat e pacientëve dhe kërkesat e profesionistëve shëndetësor, financimi shumë i ulët për kokë banori, që gjithashtu, shoqërohej me mungesë të kapaciteteve menaxheriale.
Ministri Agani, tha se Ligji i Sigurimeve Shëndetësore që ka qëllim madhor dhe human, duke siguruar qasje universale në shërbime cilësore shëndetësore për të gjithë qytetarët, paraqet hap të madh në rrugën e reformës shëndetësore, me që ky ligj, reformon skemën e financimit të shëndetësisë.
Shtyllat kryesore të kësaj reforme janë pesë ligjet e miratuara në Kuvendin e Kosovës: Ligji Për Shëndetësi, Ligji i Sigurimeve Shëndetësore, Ligji i Odave të Profesionistëve shëndetësor, Ligji i Produkteve dhe Pajisjeve Medicinale dhe Ligji për Kontrollin e Duhanit, pa të cilat Ligji i Sigurimeve Shëndetësore nuk do ta kishte funksionimin e plotë, theksoi Ministri.
Ai shpjegoi para studentëve se këto veprime për të ndryshuar qasjen dhe për të kaluar nga një sistem i vjetër në një sistem të riorganizuar dhe me sistem decentralizues ka qenë synim i kamotshëm i tij, ngase decentralizimi i shërbimeve dhe financimit shëndetësor, sipas Ministrit, është një reformë që do të sjellë shërbime shëndetësore më të mira për qytetarët e vendit.
Synimi i këtij ligji është që çdo qytetar i Republikës së Kosovës të ketë qasje në shërbimet shëndetësore, pa marrë parasysh se a ka paguar a jo, ngase përkundër lirimit të afër 400 000 qytetarëve nga pagesa e sigurimit shëndetësorë, shteti do të jetë ai i cili do të paguaj për ata të cilët nuk kanë mundësi ekonomike të bëjnë një gjë të tillë dhe ky veprim po bëhet në mënyrë që të ketë një fond të qëndrueshëm në ngritjen e shërbimeve shëndetësore më cilësore për popullatën e Kosovës, tha Ministri.
Në fund Ministri Agani tha se Ligji i Sigurimeve Shëndetësore është përfunduar pas negociatave të gjata mes MSh-së me Fondin Monetar Ndërkombëtar dhe Bankën Botërore dhe ai e quajti miratimin e këtij ligji një fitore mbi skepticizmin ndaj Kosovës dhe kapaciteteve të saj.
Ministri i është përgjigjur edhe interesimit të studentëve për çështje të ndryshme dhe reformën shëndetësore.