Agani e Ozan hapin Javën e dytë shëndetësore Kosovë Turqi
Prishtinë, 4 maj - Ministri i Shëndetësisë i Republikës së Kosovës Ferid Agani, përmes një konference për media të përbashkët me Ambasadoren e Republikës së Turqisë në Kosovë znj. Songül Ozan dhe me drejtorin e Marrëdhënieve me Jashtë të Ministrisë së Shëndetësisë të Republikës së Turqisë Öner Güner, hapën sot Javën e dytë shëndetësore Kosovë Turqi.
Ministri Agani e vlerësoi lartë ndihmën e vazhdueshme të Republikës së Turqisë në të gjitha fushat e jetës që i ka dhënë dhe po i jep Republikës së Kosovës, në veçanti në fushën e shëndetësisë.
Ky aktivitet që në Kosovë shënon javën e dytë shëndetësore midis dy vendeve, të këtij niveli bashkëpunimi brenda dy viteve, është ndër aktivitetet e shumta të ndërsjella, që kontribuojnë në ngritjen e marrëdhënieve për një bashkëpunim në sektor të ndryshëm, e në veçanti në sektorin e shëndetësisë, tha ministri Agani.
Ministri përmendi marrëdhëniet e mira të bashkëpunimit në shkëmbimin e përvojave, duke potencuar trajtimin e nga 100 pacientëve kosovarë falas për çdo vit nga Republika e Turqisë, që paraqet një ndihmë në shpëtimin e jetëve dhe që pa dyshim paraqet lehtësim për Ministrinë e Shëndetësisë së Republikës së Kosovës, për tu dalë në ndihmë numrit të madh të kërkesave për trajtim jashtë vendit.
Vet prania e madhe e ekspertëve shëndetësorë nga Turqia dëshmon faktin, se Republika e Turqisë është seriozisht e përkushtuar të ndihmojë shëndetësinë kosovare në ngritjen e kapaciteteve të kuadrove profesionale shëndetësore, theksoi ministri Agani.
Ambasadorja Ozan, tha se njëra ndër arsyet që Republika e Turqisë e ndihmon Republikën e Kosovës me përkushtimin më të madh, janë lidhjet familjare, kultura dhe traditat e përbashkëta që kanë dy popujt, andaj në veçanti jemi të përkushtuar që të ruajmë dhe kultivojmë shëndetin e popullit të Kosovës.
Ambasadorja tha se shkëmbimi i përvojave në fushën e mjekësisë do të vazhdojë edhe në të ardhmen.
Ndërsa, drejtori i marrëdhënieve me jashtë nga Ministria e Shëndetësisë së Republikës së Turqisë, Öner Güner , tha se fakti që një ekip e mjekëve nga Turqia kanë ardhur të kryejnë shërbime falas në Kosovë , dëshmon më së miri për përkushtimin e Republikës së Turqisë për të ndihmuar Kosovën.
Pori, synimi ynë është që mjekët e Republikës së Kosovës të jenë në gjendje që shërbimet profesionale shëndetësore ti kryejnë vetë pa ndihmën e askujt, andaj ne jemi të gatshëm të ndihmojmë në këtë aspekt, tha ai.
Gjatë Javës së dytë shëndetësore Kosovë-Turqi, 21 ekspertët mjekësor nga Turqia do të kryejnë procedura të ndryshme diagnostiko dhe terapeutike në lëmit: Kardiokirurgji, Kardiologji invazive, Gjinekologji, Kirurgji plastike, ORL, Gastroenterologji, Radiologji, Onkologji dhe Kirurgji e djegieve.
Po ashtu, delegacioni i Republikës së Turqisë, ka sjellë edhe një donacion, mjete të shërbimeve mjekësore të ndryshme që do të nevojiten për intervenime mjekësore.
Gjatë javës së parë shëndetësore Kosovë-Turqi, e cila ishte organizuar në shtator të vitit të kaluar ishin kryer 127 kontrollime mjekësore, 139 konsultime, 50 operacione, 14 angiografi, 12 vendosje të stentave, 4 ERCP, 5 endoskopi, 20 ultrazë dhe ishin mbajtur 11 seminare.
Pas realizimit të javës së parë të përbashkët shëndetësore, filloi faza e dytë e implementimit të Marrëveshjes ndërmjet MSH së Republikës së Turqisë dhe MSH së Republikës së Kosovës për edukimin e stafit mjekësor.
Për këtë vit është paraparë edukimi i 40 profesionistëve shëndetësor nga lëmit e ndryshme mjekësore.
Grupi i parë i mjekëve nga Kosova në muajin shkurt ka qëndruar në edukim njëmujor në Turqi, ndërsa momentalisht atje gjendet grupi i dytë. Grupi i tretë do të shkoj në fund të majit, kurse grupi i fundit në shtator të këtij viti.
Të gjitha shpenzimet e këtij programi barten nga MSH së Republikës së Turqisë nëpërmjet agjensionit TIKA.
Paralelisht me këtë, kah fundi i majit do të filloj zbatimi i projektit të Kujdesit Intensiv Qendror me 27 shtretër në hapësirat e QKUK-së.