Agani e Gashi përcjellin procesin e votimit për Odën e Mjekëve
Prishtinë, 17 tetor - Nga ora 08.00, në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës(QKUK) janë hapur 25 Qendra të votimit për zgjedhjen e përfaqësuesve për Kuvendin e Odës së Profesionistëve Shëndetësorë.
Procesin e votimit nga afër e përcëllon, Ministri i Shëndetësisë së Republikës së Kosovës, Dr. Ferid Agani, Dr. Gani Shabani, Sekretar Permanent i Ministrisë së Shëndetësisë, drejtori ekzekutiv i QKUK-së, Dr. Nijazi Gashi dhe përfaqësues të tjerë nga Komisioni Zgjedhor i Odave Mjekësore.
Ministri Agani me bashkëpunëtorë vizitoi nga afër Qendrën e votimit në Klinikën Obstetrike Gjinekologjike, Klinikës së Kirurgjisë dhe atë të Kardiologjisë, me çrast u informua rreth rrjedhjes së votimit.
Në qendrën e votimit në Klinikës e Kirurgjisë, Dr. Adem Kllokoqi, kryetar i komisionit zgjedhor për Klinikën e Kirurgjisë, e informoi Ministrin Agani se deri tani procesi zgjedhor ka rrjedhë normale dhe nuk ka pasur telashe. Deri tani kanë votuar rreth 30% e mjekëve që duhet të votojnë dhe nuk ka pasur telashe në këtë drejtim, sqaroi dr. Kllokoqi.
Në anën tjetër, Ministri Agani theksoi se me formimin e Odës së Profesionistëve Mjekësorë do të ndodhë depolitizomi i profesionit të mjekut dhe nuk do të ketë ndikime politike.
Ju do të jenë të lirë të zgjidhni anëtarët tuaj që do të ju përfaqësojnë në Kuvendin e Odës së mjekëve, shumica e kompetencave do të kalojnë tek Oda, përfshirë lëshimi i licencave, ri-licencimi dhe revokimi i tyre, mbikëqyrja profesionale dhe ligjore e profesionistëve shëndetësor, planifikimi dhe zbatimi i edukimit të vazhduar profesional, verifikimi i ligjshmërisë së procesit të specializimeve, organizimi i provimit specialistik dhe mbikëqyrja e sub-specializimeve, theksoi Dr. Agani.
Sipas tij, në fillimin të formimit dhe gjatë fazës së konsolidimit të Odës së mjekëve në shumë procese do të ndihmojë edhe Ministria, përderisa pas 3 vjetëve Oda do të ketë kompetenca të plota.
Në tërë sistemin shëndetësorë të vendit janë hapur 63 njësi zgjedhore dhe të drejtën për të votuar do ta shfrytëzojnë 4.200 mjekë, qendrat e votimit do të jenë të hapura deri në orën 18:00.