Agani dhe Mustafa, bisedojnë për bashkëpunim në shëndetësi
Prishtinë, 20 maj - Ministri i Shëndetësisë i Republikës së Kosovës, Ferid Agani, priti sot në një takim Kryetarin e Prishtinës, Isa Mustafa, me të cilin është biseduar për mundësitë e bashkëpunimit midis Ministrisë dhe Komunës në sigurimin e shërbimeve sa më cilësore shëndetësore për qytetarët.
Në këtë takim, Ministri Agani e ka njoftuar Kryetarin e Prishtinës, Mustafa me hapat që po ndërmerr Ministria në zbatim të reformës shëndetësore dhe ishte vlerësim i përbashkët se midis Ministrisë dhe Komunës duhet të zhvillohet një komunikim i rregullt, duke qenë se Prishtina ka numrin më të madh të qytetarëve në vend dhe numri më i madh i institucioneve shëndetësore janë në kryeqytet.
Po ashtu, Ministri dhe Kryetari i Prishtinës janë pajtuar që të ketë bashkëpunim për zbatimin e politikave shëndetësore që për interes kanë sigurimin e përkujdesjes dhe shërbimeve shëndetësore sa më cilësore për qytetarët.
Kryetari i Prishtinës Mustafa e ka vlerësuar lart qasjen e Ministrit Agani në procesin e reformave në shëndetësi dhe u shpreh gatishmëria e dyanshme, që bashkëpunimi të jetë i suksesshëm.