Agani dhe Gashi bisedojnë për shëndetësinë e Komunës së Obiliqit
Prishtinë, 1 prill - Ministri i Shëndetësisë Ferid Agani i shoqëruar nga Sekretari i Përgjithshëm Gani Shabani, priti sot kryetarin e Komunës së Obiliqit, z. Xhafer Gashin me bashkëpunëtorë.
Ministri Agani i informoi mysafirët për reformat që po bëhen në shëndetësinë kosovare dhe ndikimin e saj edhe në nivelin e Kujdesit Parësor Shëndetësor që administrohet nga komunat.
Qëllim final i reformës është sigurimi i shërbimeve sa më cilësore shëndetësore për qytetarët e vendit, tha Ministri, duke theksuar faktin se reforma do të krijojë mundësi për më shumë investime në projekte kapitale dhe staf profesional nga MSh-ja në Kujdesin Parësor Shëndetësor në komunën e Kastriotit dhe komunat e tjera.
Ministri Agani shprehu përkushtim maksimal për të ndihmuar në përmirësimin e gjendjes në sektorin shëndetësor në Komunën e Kastriotit, duke marrë parasysh rrezikun e banorëve të kësaj komune nga ndotja e madhe që shkaktohet nga Korporata Energjetike e Kosovës.
Kryetari Gashi falënderoi ministrin Agani për gatishmërinë e dhënies së ndihmës në përmirësimin e kushteve të kujdesit shëndetësor në këtë komunë.
Në takim u bisedua edhe për mundësitë e bashkëpunimit dhe ofrimit të ndihmës në sektorin shëndetësor dhe koordinimin e punëve midis tre niveleve të kujdesit shëndetësor si dhe për zbatimin e Ligjit për Kontrollin e Duhanit.