Agani dhe Fol pajtohen për bashkëpunim

Prishtinë, 29 mars - Ministri i Shëndetësisë i Republikës së Kosovës, dr. Ferid Agani, priti sot drejtuesit e Lëvizjes FOL, në kuadër të interesimit të dyanshëm për bashkëpunim, me qëllim të rritjes së transparencës dhe llogaridhënies së institucioneve publike të Kosovës.
Ministri Agani i ka dhënë mbështetje projektit të lëvizjes FOL për fuqizimin e transparencës së institucioneve publike përballë qytetarëve, projekt ky i prezantuar nga kreu i kësaj lëvizje, Ramadan Ilazi.
Ministri Agani ka ofruar bashkëpunimin e plotë të MSh-së me shoqërinë civile, duke e vlerësuar këtë si indikator të demokratizimit të vet institucioneve dhe ka siguruar drejtuesit e FOL se MSH do të ofrojë maksimumin e bashkëpunimit që ligji e lejon.
Gjatë ditëve në vijim, MSh do të nënshkruajë një Memorandum bashkëpunimi me Lëvizjen FOL, në mënyrë që kësaj lëvizje ti sigurohet qasje në monitorim të proceseve të ndryshme që zhvillohen në këtë ministri.