Agani dhe delegacioni i KOMRA-s diskutojnë për të pagjeturit
Prishtinë, 6 qershor - Ministri i Shëndetësisë i Republikës së Kosovës, Ferid Agani, priti sot një delegacion të Koalicionit për KOMRA, një organizim ky rajonal dhe apolitik i organizatave të shoqërisë civile.
Delegacioni i KOMRA-s e njoftoi Ministrin Agani me angazhimet e këtij asociacioni për themelimin e Komisionit të Pavarur Rajonal për vërtetimin dhe publikimin e fakteve mbi krimet e luftës dhe mbi shkeljet e tjera tu rënda të drejtave të njeriut si dhe zbardhjen e fatit të personave të pagjetur gjatë luftërave 1991- 2001 në territorin e ish RSFJ-së.
Gjatë takimit u shqyrtuan mundësitë e bashkëpunimit në këtë drejtim, ndërkaq Ministri Agani u zotua për mbështetje e kësaj iniciative, e cila bashkërisht u vlerësua si tejet e rëndësishme për paqen dhe stabilitetin në rajon dhe hapjen e perspektivave evropiane të shteteve të rajonit si tërësi.
Në veçanti u shqyrtuan mundësitë e bashkëpunimit rreth zbardhjes së fatit të 1821 personave që ende janë të evidentuar si të zhdukur në Kosovë si dhe mundësitë e mbështetjes institucionale të familjeve të tyre.