Agani dhe Begaj bisedojnë për shëndetësinë në Malishevë
Prishtinë, 4 mars - Ministri i Shëndetësisë i Republikës së Kosovës, Ferid Agani, priti sot Kryetarin e Malishevës Ragip Begaj, të shoqëruar me bashkëpunëtorë.
Në takim u bisedua për nevojat e komunës në shëndetësi dhe për angazhimet e përbashkëta kundër etheve hemorragjike në këtë komunë.
Ministri Agani, pasi u njoftua nga Kryetari Begaj, për gjendjen në shëndetësinë e Malishevës dhe nevojat e saj për ndihmë nga niveli qendror në përparimin e kujdesit shëndetësor në këtë komunë, shprehu gatishmërinë institucionale në gjetjen e mundësive për të ndihmuar këtë komunë në sektorin shëndetësor.
Në takim rëndësi të veçantë iu dha përgatitjeve që po bëhen në luftimin e etheve hemorragjike.
Ministri Agani bëri thirrje për vetëdijesim të qytetarëve si hapë të rëndësishëm në mbrojtjen e shëndetit të tyre, ndërkohë që ka siguruar se Këshilli Ndërministror për parandalimin dhe luftimin e EHKK, të cilin e kryeson ai, ka bërë përgatitje për të dhënë një përgjigje sa më të mirë preventive dhe për të mbrojtur popullatën e kësaj zone nga kjo sëmundje.
Në këtë takim u tha që të bëhet një sensibilizim adekuat për qytetarët për tu mbrojtur nga rreziku që shkaktohet prej etheve hemorragjike që shkaktohen nga pickimi i rriqrave të infektuara.