Agani bisedon me mjekët turq për bashkëpunimin në shëndetësi
Prishtinë, 3 tetor - Ministri i Shëndetësisë i Republikës së Kosovës, Ferid Agani priti sot një delegacion mjekësh nga Turqia, të cilët po qëndrojnë në Kosovë në kuadër të Javës së Shëndetësisë Kosovë-Turqi.
Në këtë takim u bisedua për shëndetësinë kosovare dhe nevojën e madhe për ndihmë në fusha të ndryshme të saj, ku kontributin e tyre janë duke e dhënë edhe ekipet e ekspertëve mjekësor nga Turqia.
Delegacioni nga Turqia po udhëheq ekipin e ekspertëve të fushave të ndryshme të mjekësisë të cilët gjatë kësaj jave në Kosovë, kanë kryer disa intervenime nga fusha e kardiokirurgjisë dhe fushat e tjera mjekësore në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës.
Ministri Agani ka falënderuar ekipin nga Turqia që udhëhiqet nga Dr. Kamuran Ozden dhe Dr. Arif Cetin, duke theksuar se është informuar në detaje për punën profesionale që kanë bërë në QKUK dhe afërsinë e shprehur me kolegët e tyre kosovarë.
Gjithashtu, Ministri i ka vlerësuar shumë lartë marrëdhëniet e mira midis Ministrisë së Shëndetësisë së Kosovës me Ministrin e Shëndetësisë të Republikës së Turqisë duke thënë se kjo është një vlerë e veçantë.
Në takim, ministri dhe delegacioni turk, janë pajtuar në parim për dërgimin e një numri të konsiderueshëm të profesionistëve mjekësor nga Kosova për trajnime profesionale falas në Republikën e Turqisë.