Afaristët përkrahin blerjen e mamografit mobil
Prizren, 10 prill - Kryetarja e Grupit të Grave Deputete, znj Teuta Sahatqija u takua me rreth njëzet afarist nga Prizreni, për të mbledhur kontribute financiare për blerjen e mamografit mobil.
Në takimin e organizuar nga veprimtari Ramadan Buzhala, të pranishmëve u është drejtuar znj. Sahatqija, duke theksuar gjendjen e rëndë të grave të Kosovës të cilat në masë shumë të madhe janë të prekura nga kanceri i gjirit dhe vështirësitë që kanë për ta bërë ekzaminimin e sëmundjes, e sidomos ato zonat më të thella malore.
Në këtë vështrim ajo ka vënë në pah iniciativën e Grupit të Grave Deputete për ta blerë aparaturën mobile mjekësore ( mamografin), e cila mund të lëviz në çdo vendbanim të Kosovës dhe ku gratë do të kenë mundësi ta bëjnë kontrollimin shëndetësor të tyre.
Në vazhdim Sahatqija ka përmendur përkrahje të madhe që ka marrë nisma e GGD-së nga ambasadat e Norvegjisë dhe Holandës, nga OSBE-ja dhe institucione vendore e ndërkombëtare, duke grumbulluar, deri më tani, afër 150 000 euro dhe duke marrë premtime për shuma të tjera të konsiderueshme.
Prandaj, ajo u ka apeluar njerëzve vullnetmirë dhe gjithë atyre që kanë mundësi, ta përkrahin këtë nismë humanitare.
Pastaj Buzhala nga të pranishmit kërkoi që të përkrahet kjo iniciativë, ndërsa afaristi Dr. Agim Hazdrollin (mjek) pasi përgëzoi GGD -nëpër këtë nismë humane, tha se blerja e kësaj aparature është shumë e rëndësishme sepse do të shpëtonte jetën e shumë grave dhe vajzave, por edhe do të pakësonte vuajtjet e shumë familjeve, duke shtuar se përfitimi nga një aparaturë e tillë është i pa llogaritshëm.
Në favor të kësaj nisme folën edhe znj. Ardiana Berisha nga Shoqata e Juristeve, znj Sevil Kazaz ,znj Ajsha Kazaz, etj.