Acidet yndyrore Omega 3 zgjasin jetën
Washington, 27 mars - Marrja e acideve yndyrore Omega 3 mund ta zvogëlojë rrezikun e vdekjes nga sëmundje të ndryshme për më shumë se 18 për qind, tregon një studim i ri, i botuar në revistën American Journal of Epidemiology.
Shkencëtarët kanë hulumtuar shëndetin e 70000 personave në një periudhë prej pesë vjetësh.
Ata ndoqën shprehitë e tyre të të ushqyerit dhe llojin dhe sasinë e suplementeve që i marrin ata. Ata gjithashtu studiuan shkallën e vdekshmërisë.
Kur i krahasuan pjesëmarrësit që kishin marrë acide yndyrore Omega 3, ose që kishin ngrënë rregullisht peshk me pjesëmarrësit të cilët nuk kishin marrë suplemente dhe rrallë kishin ngrënë peshk, erdhën në rezultate të mahnitshme.
Konsumi i rregullt i peshkut ose marrja e suplementeve të acideve yndyrore Omega 3 e zvogëloi rrezikun e vdekjes nga sëmundjet e ndryshme me 18 për qind dhe rrezikun e vdekjes nga kanceri me 23 për qind.
Për acidet yndyrore Omega 3 tashmë dihet që e kanë një efekt të shkëlqyeshëm në shëndetin e të gjithë organizmit, dhe ky hulumtim e mbështet teorinë që ato e zgjasin jetën.
Acidet yndyrore Omega 3 kanë efekte antiinflamatore, ndërsa inflamacionet kronike në trup mund të shkaktojnë sëmundje të zemrës dhe sistemit të enëve të gjakut dhe kancere të ndryshme.
Mënyra më e mirë për marrjen e acideve yndyrore Omega 3 është përmes peshkut të yndyrshëm, si toni, salmoni apo sardelet, transmeton Koha.net.
Mjaftojnë vetëm disa racione me peshk në muaj. Suplementet janë praktike për personat që nuk janë adhurues të peshkut.