A është duke i shërbyer shkenca njeriut apo njeriu shkencës
Intervistë me shkencëtarin e mjekësisë, prim. dr. med. sc. Ali Iljazi
Kunushevci: I nderuar dr. Iljazi, pas një kontributi të madh që keni dhënë në shkencën e mjekësisë, këtë vit keni dalur në penzion, andaj a mund të na thoni diçka në pika të shkurtra një CV tuajen?
Iljazi: Kam lindur në Gjakovë në vitin 1949. Rrjedhi nga një familje me ndjenja të thella fetare e kombëtare. Nga kjo familje pati 20 hoxhallarë dhe shtatë myderriza eminent që shërbyen në Medresenë e Madhe të Gjakovës afro 280 vite me radhë.
Shkollën fillore dhe të mesme e kam kryer në vendlindje me sukses të shkëlqyeshëm.
Fakultetin e mjekësisë e kam kryer në Sarajevë në vitin 1973 me sukses të shkëlqyeshëm. Për suksesin e arritur gjatë studimeve jam dekoruar me Shenjën e Artë të Universitetit të Sarajevës, si studenti më i suksesshmi dhe më i dalluari në këtë Universitet.
Specializimin nga lëmi i mjekësisë interne e kam kryer në Sarajevë në vitin 1979 po ashtu me sukses të shkëlqyeshëm dhe falënderim të veçantë.
Në vitin 1987 marr titullin e primariusit. Ndërsa në vitin 1988 në Universitetin e Novi Sadit mbroj titullin e doktorit të shkencave të mjekësisë.
Për herë të parë në ish-Jugosllavi dhe Evropë zbulova testimin me karbakol si një test bronkoprovokues më senzitiv (Dose-response curve PD100 Raw).
Ndërsa jam i pari në Kosovë që kam aplikar testimin bronkoprovokues me pluhura organike.
Deri më sot kam botuar 23 libra, mbi 80 punime shkencore nga lëmi i mjekësisë, të botuara këto nëpër revista të ndryshme dhe të referuara në kongrese e seminare të ndryshme, si dhe monografinë Testet bronkoprovokuese në diagnostiken e hiperaktivitetit bronkial.
Krahas veprimtarisë mjekësore merrem me studimin e Kuranit fisnik nga këndvështrimi shkencor dhe shquhem si pionier i kësaj lëmie në trevat shqiptare.
Nga kjo lëmi kam publikuar mbi 1000 punime shkencore të botuara në revistat: Dituria Islame, Takvimi, Zgjimi Islam, Frymëzimi, Fjala e bukur, Hëna e re, Paqja, Gazeta Besa, Vepra, Drita Islame, Etika, Zaman, Emocioni, AlbIslam, etj.
Kam realizuar me qindra emisione radiotelevizive si në: TV Besa, TV Opinioni, TV Era, TVSH, RTK, TV Syri, TV Ballkani, Peace TV, etj. Radiogjakova, Radiobesa, Radiopendimi, Radiokosova, Radioislame, etj.
Kam mbajtur ligjërata shkencore në të gjitha trojet shqipare si dhe në diasporë, si dhe në Universitetin Ballkanik në Shkup dhe Shtul, Tetovë, Angli, Gjermani, Zvicër. etj.
Jam paraqitur me tema shkencore në shumë kongrese në Kosovë, ish-Jugosllavi, Zvicër, Gjermani, Dubai, SHBA, etj.
Që nga viti 1988 në mënyrë aktive kam marrë pjesë në ligjerata dhe tribuna në të gjitha trevat shqiptare dhe diasporë.
Në vitin 2013 me hapjen e Universitetit Fehmi Agani në Gjakovë zgjedhem U.D. Dekan dhe ligjërues në Fakultetin e Mjekësisë.
Kunushevci: Tani edhe pse keni dalur në penzion, vazhdoni të punoni me studentë. A mund të na tregoni se sa është e sfidueshme puna me studentë, çfarë kuadrash dalin nga Universiteti dhe çfarë potenciali shihni tek ata?
Iljazi: Puna me studentë është vërtet sfiduese dhe kërkon angazhim, përkushtim, dhe sakrificë nga mësimdhënësi, por njëherit kënaqësi dhe satisfaksion që sheh një potencial të madh tek studentët. Këtë vit në dhjetor diplomon gjenerata e parë e studentëve të Infermierisë dhe Mamisë në Fakultetin e Mjekësisë Fehmi Agani në Gjakovë. Është një gjeneratë e shkëlqyer, mburrje për qytetin tonë dhe Kosovën, gjeneratë e cila premton shumë.
Kunushevci: Doktor, ju jeni i pari që në ish-Jugosllavi dhe Evropë keni zbuluar testimin me karbakol si një test bronkoprovokues më sensitiv. Gjithashtu jeni nga mjekët e parë në Kosovë që keni aplikuar testimin provokues me pluhura organike. Për ata që se dinë, çka nënkuptojnë këto dy teste, si bëhen, për çka shërbejnë dhe cilat janë efektet e tyre?
Iljazi: Testimi me karbakol është testim bronkoprovokues jospecifik me substancën farmakodinamike karbinoilkolinë (0,2 - 2% tretje) për të detektuar personat hiperreaktiv ndaj atyre që janë hipo dhe normoreaktiv. Pra, me këtë test i cili është tejet senzitiv detektohen pacientët që kanë prirje për sëmundjen e astmës, bronkitit kronik obstruktiv, si dhe alergjitë respiratore.
Me këtë test verifikohet edhe efekti i bronkodilatatorëve dhe imunoterapisë. Ndërsa me testin bronkoprovokues specifik me pluhura organike përcaktohet diagnoza e sëmundjeve profesionale, të quajtura pneumokonioza.
Ndër më të njohurat tek ne janë bisinoza (sëmundje respiratore e shkaktuar nga pluhuri i pambukut), antrakoza (sëmundje respiratore e shkaktuar nga pluhuri i thëngjillit), azbestoza (nga azbesti), silikoza (e shkaktuar nga grimcat e siliciumit). Të gjitha këto testime janë bërë në Institutin Kombëtar të Mjekësisë së Punës në Gjakovë me aparaturën më të sofistikuar dhe më moderne në ish-Jugosllavi.
Kunushevci: Si e vlerësoni gjendjen e mjekësisë dhe shëndetësisë në Kosovë? Sa kontribuon Kosova për shkencë? Sa ndihmohen dhe motivohen studentët që kanë prirje dhe orientime shkencore? Cili është vlerësimi juaj për mbështetjen dhe përkrahjen institucionale të Republikës së Kosovës për projektet e ndryshme shkencore? Me një fjalë, shqiptarët çka i kanë ofruar fillimisht vetes e pastaj edhe botës në lëminë e shkencës?
Iljazi: Sa i përket gjendjes së mjekësisë në Kosovë, mund të themi se nuk është në nivel të kënaqshëm në krahasim me shtetet në regjion. Për hulumtime shkencore ndahen 0.4% e buxhetit e që është më i vogël në krahasim me shtetet fqinje. P.sh. në Turqi ekziston Ministria për inovacione shkencore, që zgjedh dhe motivon studentët që kanë prirje dhe orientime shkencore.
Ndërsa tek ne studentët që kanë prirje fare nuk ndihmohen dhe motivohen. Për këtë duhet të punojmë shumë në përkrahjen institucionale. Shqiptarët i kanë dhënë dhe i japin mjaft botës në lëmin e shkencës.
Kjo u vërtetua me formimin e Albshkencës e cila mbledh në gjirin e saj ekspertët shqiptarë më eminent nga gjithë bota. Për çdo vjet mbajnë kongres gjithëshqiptar shkencor ku referohen kumtesa për arritjet më të reja nga gjitha lëmitë shkencore dhe me këtë vërtet duhet të mburremi.
Një kongres i tillë i Albshkencës këtë vit u mbajt në Prishtinë. Na duhet të punojmë akoma më shumë për të arritur në hap me shtetet tjera të botës në lëmin e shkencës bashkëkohore dhe të ndjekim shembullin e Ferid Muratit i cili fitoi çmimin Nobel në mjekësi.
Kunushevci: Feja apo Shkenca? Në këtë trajtë zhvillohen debate të shumta në media, konferenca e universitete të ndryshme në botë. Dr. Iljazi, a mund të bashkëjetojnë feja dhe shkenca? Ku bashkohen dhe ku ndahen? Si reflekton orientimi shkencor në besimin e njeriut tek Zoti dhe e kundërta besimi në orientimin shkencor? A e pranon shkenca Zotin dhe si? Në lidhje me këtë, përmendni disa teori dhe vepra shkencore të shkencëtarëve klasikë dhe bashkëkohor që e mbështesin besimin në Zot?
Iljazi: Feja dhe shkenca janë binjakë. Të paditurit i ndajnë. Në realitet këto bashkëjetojnë. Jeta pa besim në Krijuesin është asgjë, pakuptim, pa themel, pa vlerë. Ajo është dhembje e madhe, aventurë pa fitim, projekt pa garanci, ndërmarrje e pasuksesshme që sjell pendim dhe shkatërrim. Gabimi më fatal është kur shkencëtari mbyllet në kafazin e shkencës, ndërsa teologu në guackën e fesë.
Kjo është ndërprerje e lidhjeve në mes dy ishujve të cilën mendimtari i shquar egjiptian, dr. Mustafa Mahmud e quan dekadencë civilizuese. Dituria, arsimimi, dhe shkenca janë urdhër kuranor - adhurim të cilin duhet ta kultivojë dhe zgjerojë çdo besimtar.
Të gjitha nuancat e ngjyrave dhe formave të ndryshme në këtë galeri të multiuniversit nuk janë asgjë pos shprehje e fuqisë së Zotit të gjithëpushtetshëm, e diturisë dhe urtësisë së Tij që ka përfshirë çdo gjë.
Andaj ngado që shkencëtarët kthejnë kokën lexojnë Librin e Tij të hapur, në të cilin janë regjistruar versetet e qarta. Kur lexojmë Kuranin jemi në fjalët e Tij, kur lexojmë librin e universit jemi në veprat e Tij, kur lexojmë librat shkencor jemi në ligjet e Tij. Kur e lexojmë historinë jemi në dëshirën dhe përcaktimin e Tij, ndërsa kur lexojmë për artin jemi në shkëlqesinë e emrave të Tij.
Kurani flet për faktet dhe fenomenet shkencore një nga një, ndonjëherë qartë dhe me precizitet të rrallë, ndonjëherë në mënyrë alegorike, metaforike, por duhet theksuar se për këto flet 14 shekuj para zbulimeve të sotme shkencore.
Kur flasim për Kuranin dhe shkencën bashkëkohore duhet të theksojmë se Islami i ka konsideruar gjithmonë si binjake, dhe ne sot në kohën kur shkenca ka hedhur hapa të mëdhenj përpara, ato vazhdojnë të bashkeveprojnë dhe të përdorin edhe më shumë të dhëna shkencore të sigurta, me qëllim që të kuptohet edhe më mirë teksti i Kuranit. Islami është dhe mbetet përgjithmonë mik i sigurt i diturisë dhe shkencës, siç shihet qartë nga fjalët e Allahut të madhërishëm: Por All-llahu dëshmon për atë që t\'u zbrit ty, atë ta zbriti sipas dijes së Vet . . . (En - Nisaë, 166)
Një shkencëtar bashkëkohor amerikan ka thënë: Për të debatuar për mosekzistimin e Zotit, sot është e mundur vetëm në departamentin e filozofisë.
Shkencëtari Buhner thekson: Një eritrocit (rruaza e kuqe e gjakut) edhe pse në dukje tejet i thjeshtë, paraqet një gjë aq komplekse dhe është e pamundur që të krijohet nga materia jo e gjallë. Toma Akuini thotë: Deri më sot asnjë shkencëtar nuk e ka njohur tërësinë e një mize. Albert Ajnshtajn, shkencëtari i mirënjohur botëror, del në skenë me këto fjalë: Esenca e ndjenjës së besimit në shkallën më të lartë qëndron në atë që të njohim se në brendinë e krijesave të cilën gjë ne nuk e njohim kurrsesi, paraqitet Ai (Zoti) me ligjet më të përsosura të mençurisë dhe të shkelqësisë së bukurisë më madhështore.
Kunushevci: Ju keni marrë pjesë në shumë tribuna dhe prezentime publike me karakter shkencor dhe fetar, në veçanti keni trajtuar librin e shenjtë Kuranin si mrekulli të Zotit për njerëzimin. Ku qëndron mrekullia e këtij libri dhe cili është dimenzioni shkencor i Kuranit? Cilët shkencëtarë botërorë, klasikë dhe bashkëkohorë, e pranojnë Kuranin si libër të Zotit përmendni disa? Sa korrespondojnë zbulimet dhe teoritë shkencore me Kuranin? Po si qëndron puna me librat e tjerë të shenjtë?
Iljazi: Në Kuran ekziston një numër i madh versetesh të cilat vërtetojnë se Islami është fe shkencore. Njohuritë moderne shkencore ofrojnë rast të jashtëzakonshëm për shpjegimin e tyre. Versetet të cilat flasin për kozmosin dhe astronominë, mund të shpjegohen vetëm mbi bazë të të arriturave shkencore bashkëkohore nga lëmi adekuat.
Kurani nuk është vetëm libër sheriati, dhe nuk është shpallur vetëm për lëmin e stilistikës, të retorikës, dhe gramatikës. Kurani është enciklopedi që ngërthen në veti etikën, politikën, psikologjinë, sociologjinë, historinë, mjekësinë, filozofinë, dhe embriologjinë me të gjitha etapat e zhvillimit embrional në mitrën e nënës.
Nuk mund ta paramendoj shkencëtarin e vërtet, thekson Ajnshtajn, i cili nuk kupton se themelet e vërteta të botës ekzistuese fillojnë me Mençurinë e cila i bën të kuptueshëm. Andaj, shkenca pa fe ecën si njeriu i çalë, ndërsa feja pa shkencë i përngjan të verbërit, i cili i prek gjërat, por nuk i sheh.
Kanti thotë: Dy gjëra më pushtojnë shpirtin për të besuar tek Zoti. Ato janë qielli me yje mbi mua dhe ligji moral në vetveten time. Astronomi Kepler thotë: Të faleminderit o Zoti im që ma bën të mundur tu gëzohem krijesave Tua. Koperniku thotë: Si mund të largohesh e mos të afrohesh kah i Plotfuqishmi dhe të mos krenohesh me Krijuesin e gjithësisë.
Lordi Kelvin, shkencëtar i madh anglez, e shpall haptas besimin e vet, duke përqeshur gjithë ata të cilët predikuan se jeta u krijua rastësisht (aksidentalisht). Ai shpreh habinë se si disa shkencëtarë nuk thellohen në argumentet e pamohueshme të ekzistencës së Zotit i cili manifestohet në mençurinë e ligjeve të përkryera të Tij.
Kunushevci: Fenomeni i vdekjes është i pashmangshëm dhe për këtë pajtohen të gjithë, por si i vlerësoni ju përpjekjet e disa shkencëtarëve amerikanë për zgjatjen e jetës me këputjen e disa krahëve me mikrometra të vogël të ADN-së, kështu duke ndërhyrë tek gjenet e njeriut? A mund të ketë sukses një përpjekje e tillë apo është e destinuar të dështojë? Pastaj fenomeni i klonimit të njeriut! Fenomeni i krijimit të njeriut në eprovetë! Fenomeni i ndërrimit të gjinisë! Me një fjalë, ku është kufiri i shkencës në këtë drejtim?
Iljazi: Përpjekjet e disa shkencëtarëve amerikan për zgjatjen e jetës me telomerazë ende janë në fazë eksperimentale. Duhet akoma punë e gjatë dhe e mundimshme.
Klonimi është proces i kreacionit të organizmit të ri duke kopjuar informacionin gjenetik nga organizmi i njërit prind. Në një formë binjakët njëvezorë mund të merren si klonim, por në kohën e sotme më së shpeshti përdoret termi nuclear transfer (transmetim i bërthamës), për tu përshkruar teknika e klonimit.
Në këtë proces, bërthama (nucleus) e qelizës vezë (e cila përmban gjysmën e kromozomeve për individin e ri) mënjanohet dhe zëvendësohet me bërthamën e qelizës donatore (plotëson kompletin e kromozomeve).
Larja kimike ose shoku elektrik më pastaj e nxit ndarjen e qelizave në klonimin terapeutik. Shumë shkencëtarë besojnë se qelizat që fitohen me këtë teknikë mund të shërbejnë për kultivimin e indit të ri për të shërbyer për transplatim dhe për shërimin e sëmundjeve të Parkinsonit ose të Alzheimerit.
Pasardhësit e klonuar përmbajnë kodin gjenetik origjinal të mbajtur në ADN, por shkencëtarët thonë se faktorët tjerë ndikojnë në atë që kloni të jetë i ndryshëm nga prindërit e tij. Zbulimi i gjenomit njerëzor është njëri prej zbulimeve më të mëdha historikë. Mendohet se është më i madh se zbulimi i penecilinit dhe aterimit të njeriut në Hënë.
Ky zbulim ka qenë rezultat i mundit të madh dhe hulumtimit të gjatë, në të cilin kanë marrë pjesë disa shtete perëndimore. Por kjo është një rezistencë dhe një revolucion, dëshirë e njeriut të garojë me natyrën dhe ligjet, si dhe dëshirë e shkencëtarëve të thonë: Ja edhe ne, po ashtu, krijojmë.
Ata asgjë nuk kanë krijuar, por vetëm kanë shtrembëruar dhe rrënuar atë që ekziston. Pasardhësit e kafshëve të klonuara, pohojnë shkencëtarët kanë treguar se kanë shumë probleme shëndetësore siç janë tumoret, probleme kardiovaskulare, probleme me nyjet dhe shumë malformime dhe deformime trupore.
Këto probleme, sipas disa shkencëtarëve, janë për shkak se qelizat e kafshëve të klonuara kanë pjesë më të shkurtëra të ADN (telomeres) në skajet e kromozomeve, të cilat janë të lidhura me procesin e plakjes së qelizave.
Andaj klonimi nuk është krijimi i qenies njerëzore, gjegjësisht, nuk është krijimi prej hiçit, por rritje e qelizës së formuar, mu sikur farën e krijuar që e mbjell bujku. Çështja e klonimit është duke kaluar nëpër fazat më trishtuese si pranimi, kundërshtimi, mbrojtja, akuzimi, protestat e të ngjashme, të cilat me të vërtetë na ftojnë të mendojmë rreth çështjes se a është duke i shërbyer shkenca njeriut apo njeriu shkencës.
A thua vallë shkenca është duke u përpjekur të krijojë njeri të ri, të fortë, të madh, të vogël, sintetik? Sidoqoftë kjo çështje aq shumë e diskutuar dhe aktuale nuk mund të mos u nënshtrohet normave dogmatike të religjionit, të cilat njeriun e përcjellin brenda origjinalitetit të vet, dhe të cilat nuk u nënshtrohen ndryshimeve e as fantazive përplot reklamë e tjetërsim.
Ekzistojnë disa fusha ku lejohet përdorimi i gjenomit njerëzor, siç është shërimi i sëmundjeve trashëguese, anomalive të lindura, malformimeve fatale si dhe për qëllime të tjera të shëndetit njerëzor.
Ndërkaq sa u takon ëndrrave se do të riprodhohen (dyfishohen) Hitleri, Stalini, Betoveni apo Ajnshtajni, ato janë marrëzi shkencore dhe jermi të pabaza. Nëse vazhdohet me këtë marrëzi, atëherë nuk do të riprodhohen kolosë, por monstrumë, si dhe nga laboratoret e tyre nuk do të del Ajnshtajni, por Frankenshtajni.
Mençuria e Zotit deshti që të zgjedhë formën përparuese të shumimit, e kjo është çiftëzimi (parëzimi) andaj krijoi gjininë femërore dhe mashkullore të bimëve dhe shtazëve. Kështu, në këtë mënyrë, e bëri që pllenimi (mbarësimi) i vezores me anë të spermatozoidëve të jetë fazë e domosdoshme në formimin e qelizës pjellore e cila përmban lloje të ndryshme të gameve.
Paralelisht me llojllojshmërinë e llojeve, edhe pasardhësit u bënë të shumëllojshëm. Kështu jeta u zbukurua me shumësinë mrekulluese të formave dhe të llojeve. Vëllezërit filluan të dallohen sipas formës, veçorive dhe talentit, bile-bile edhe vetë binjakët.
Pra, jeta u shndërrua në një muzeum të pashoq (unitar) ku asnjë formë nuk përsëritet. Kështu u formuan 100.000 lloje merimangash, 270.000 lloje insektesh, ndërkaq asnjëri prej llojeve nuk është i njëjtë me llojin tjetër.
Nga familja e shpendëve, Allahu i Plotfuqishëm krijoi: pavodën, bilbilin, shqiponjën, skifterin, hutin e të tjera lloje me bukuri dhe dhunti të jashtëzakonshme. Mirëpo, njeriu bashkëkohor, me mosbesimin dhe marrinë tij, dëshiron që ta rikthejë jetën në zanafillën e thjeshtë, ta kthejë jetën në epokën e dyshimit, në epokën e fotokopjimit, e cila ka përfunduar para miliona viteve, duke menduar se bën diç të re. Kjo rikthesë biologjike do të jetë një shkatërrim i gjithë asaj që është arritur në lëmin e biologjisë dhe do ta kthejë njeriun në epokën e shumimit të mikrobeve dhe të bakterieve pararëndëse.
Ato që pohojnë se do të riprodhojnë janë iluzione. Reprodukimi (dyfishimi) është një proces që ka të bëjë me formën, pamjen, veçoritë materiale, ndërkaq gjenialiteti është diç tjetër që nuk ka lidhje me formën dhe pamjen trupore.
Gjenialiteti është fshehtësi shpirtërore, fshehtësi që nuk mund të reprodukohet dhe që sekziston në gjene. Për këtë shkak nuk trashëgohet gjenialiteti, denjësia morale dhe bujaria e fisnikëria. Ende nuk është formuar shtypshkronja që do të shtypte pejgamberllëkun e Sulejmanit, a.s., apo vuajtjet e Ejubit, a.s. Djali i Nuhit, a.s., ishte pabesimtar dhe asgjë nuk trashëgoi nga pejgamberllëku i babait. Këto janë vetëm karagjozllëqet e kohës sonë. Ky reprodukim i tyre sështë as krijim e as kreacion, e as diç e re. Por është një kopjim dhe bartje e thjeshtë e modeleve dhe krijesave origjinale të Allahut të Plotfuqishëm.
Allahu i Madhërishëm në Kuranin fisnik thotë:
E posa të kthehet, ai në tokë vepron të bëjë shkatërrim në të, të asgjësojë të korrat (mbjelljet) dhe gjallesat. E Allahu nuk e do çrregullimin (fesadin). (El Bekare, 205)
Kunushevci: Nga pikëpamjet shkencore, cila është prejardhja biologjike e njeriut? Nga dheu, sipas interpretimit kuranor, apo si rezultat i evolucionit? Apo ka ndonjë teori tjetër që e shpjegon më saktë? Si e shpjegoni ju teorinë e evolucionit të Charls Darvinit dhe librin e tij Origjina e Specieve dhe interpretimet që i janë bërë hipotezës dhe veprës së tij?
Iljazi: Prejardhja e njeriut është nga dheu sipas interpretimit kuranor:
O ju njerëz, nëse dyshoni për ringjalljen, atëherë (mendoni krijimin tuaj që) Ne u krijuam ju prej dheu, pastaj prej uji, pastaj prej një gjaku të ngjizur, pastaj prej një sa kafshatë mishi, që është krijesë e formuluar ose e paformuluar, në mënyrë që t\'ju sqarojmë . . . (El - Haxhxh, 5)
Shkenca vërteton që trupi i njeriut përmban 13 elemente kimike si dhe mikroelemente sikur bakri, zinku, mangani, kobalti, litiumi, stronciumi, alumini, siliciumi, plumbi, dhe arseniku. Shkencëtarët pohojnë se të gjithë elementet e domosdoshme për ndërtimin e trupit të njeriut mund ti gjeni në oborrin e shtëpisë suaj.
Ekzistojnë edhe teori dhe hipoteza tjera për prejardhjen e njeriut. Teoria e evolucionit është rezultat i filozofisë materialiste që doli në sipërfaqe me rizgjimin e filozofive të lashta materialiste dhe u bë mjaft e përhapur në shekullin XIX.
Personi që paraqiti atë që njihet si teoria e evolucionit ishte natyralist amator anglez, Çarls Robert Darvin i cili kurrë nuk pati rastin të merrte një edukim shkollor në biologji. Ai kishte vetëm një interes amator për natyrën dhe gjallesat.
Hipotezat e Darvinit nuk ishin bazuar në ndonjë zbulim shkencor apo eksperimental. Ai pikëpamjet e tij i publikoi në librin e tij Origjina e llojeve me anë të seleksionimit natyror në vitin 1859.
Darvini e dinte mirë se kjo teori kishte shumë mangësi. Ai e tregon vetë këtë, në këtë libër në kapitullin Vështirësitë e Teorisë. Këto vështirësi së pari konsistonin në të dhënat fosile, në organet komplekse të gjallesave që nuk mund të shpjegoheshin me rastësinë (p.sh. syri) dhe në instiktet e jetës. Gjatë zhvillimit të teorisë së tij, Darvini u impresionua shumë nga biologët evolucionistë para tij e në mënyrë të veçantë nga biologu francez, Lamark.
Sipas Lamarkut, gjallesat i kalonin veçoritë e fituara gjatë jetës së tyre nga një gjeneratë në tjetrën e kështu evoluan. P.sh. gjirafat evoluan nga antilopat nga gjenerata në gjeneratë duke u përpjekur të arrinin degët më të larta të pemëve. Kështu Darvini e përdori tezën e kalimit të veçorive të fituara të propozuar nga Lamarku si faktor bazë që i bëri gjallesat të evoluojnë. Por të dy, Darvini dhe Lamarku u gabuan, sepse në kohën e tyre jeta mund të studiohej vetëm me teknologji primitive.
Fushat e shkencës si gjenetika dhe biokimia nuk ekzistonin as si emër, kështu teoritë e tyre mbështeteshin krejtësisht në fuqinë e imagjinatës. Nuk ekziston asnjë provë konkrete fosile që mbështet pamjen e njeriut i cili reklamohet në mënyrë të pandërprerë nga mediat dhe qarqet akademike evolucioniste.
Me penda në dorë evolucionistët prodhojnë krijesa imagjinare, por fakti që mund të harmonizohen me to përbën një problem tepër serioz për evolucionistët. Andaj, teoria e evolucionit është një dogmë antishkencore. Mrekullia e qelizës, ADN, bota e ARN, paraqesin dështimin e evolucionistëve.
Teoria e evolucionit ka qenë e paaftë të sigurojë një shpjegim të përshtatshëm për ekzistencën e molekulave që janë bazat e strukturës qelizore, zhvillimet në shkencën e gjenetikës dhe zbulimi i acideve nukleike (ADN dhe ARN) shkaktuan probleme të reja për teorinë e evolucionit. Ligji i Dytë i Termodinamikës ose Ligji i Entropisë e hedh poshtë evolucionin.
Teknologjia e përsosur e syrit dhe veshit mbetet pa përgjigje nga evolucionistët. Teoria e evolucionit është një teori e dështuar që në hapin e parë. As ligjet e probabilitetit, as ligjet e fizikës dhe kimisë nuk ofrojnë ndonjë gjasë për formimin e rastësishëm të jetës. Andaj, konkluzioni është se teoria e evolucionit nuk është gjë tjetër veçse një mashtrim i mbrojtur vetëm për të mirën e filozofisë materialiste, mashtrim i bazuar jo në shkencë, por në shpërlarjen e trurit, në propagandë dhe gënjeshtra.
Kunushevci: Cila është mrekullia e ADN-së? Dhe kur jemi te ADN-ja, një pyetje tjetër që mund të ndërlidhet: Ka një interpretim nga Ajnshtajni se njeriu e vë në funksion vetëm 10% të potencialit mendor. Sa është e vërtetë kjo dhe si mund të shpjegohet e të kuptohet?
Iljazi: Molekula e quajtur ADN që gjendet në bërthamën e çdo 100 trilion qelizave të trupit tonë, përmban gjithë informacionin strukturor të njeriut. Informacioni që ka të bëjë me të gjitha karakteristikat e një personi që nga pamja e jashtme e deri në strukturën e organeve të brendshme është e regjistruar në ADN me anë të një sistemi të veçantë kodimi.
Informacioni në ADN është i koduar brenda sekuencës së katër bazave speciale që e ndërtojnë molekulën. Këto katër baza janë specifikuar si: A, T, G, dhe C. Të gjitha ndryshimet strukturore midis njerëzve varen nga ndryshimi në sekuencën e këtyre gërmave. Kjo është pak a shumë si një kasafortë të dhënash e përbërë prej 4 shkronjash.
Rregulli sekuencor i gërmave të ADN përcakton strukturën njerëzore deri në detajet e saj më të vogla. Përveç karakteristikave si gjatësia, sytë, flokët, dhe ngjyra e lëkurës, ADN e një qelize gjithashtu përmban dizejnimin e 206 kocakve, rreth 600 muskujve, e një rrjete me 2 milion nerva optikë, 100 miliard qelizave nervore, rreth 130 miliard metra enësh gjaku, dhe 100 trilion qelizave.
Nëse do të shkruanim informacionin e koduar në ADN, atëherë do të na duhej të përpilonim një bibliotekë gjigande me 900 volume enciklopedike me 500 faqe secili. Në vitin 1953, puna e shkencëtarëve James Watson dhe Francis Crick mbi ADN hapi një faqe të re në shkencën e gjenetikës.
Sipas studimeve shkencore njeriu mund të shfrytëzojë deri në 13% të kapacitetit të trurit (gjenitë). Pjesa tjetër e energjisë mbetet thellë e deponuar si thesar i pashfrytëzuar. Ndoshta në të ardhmen e afërt njeriu do të ketë mundësi të rrit këtë përqindje.
Kunushevci: Si shpjegohen orientimet e ndryshme seksuale nga pikëpamjet shkencore biologjike? Më intereson veçanërisht orientimi homoseksual për të cilin sot debatohet shumë dhe jo rrallë herë ka përpjekje publike nga qarqe të ndryshme që të pranohet e drejta e orientimit të tyre seksual dhe këtë duke u thirrur se orientimi homoseksual sështë sëmundje, por është gjenetike që mund tu ndodhë njerëzve, madje edhe disa krijesave tjera si kafshëve etj. Sa qëndron kjo?
Iljazi: Dr. Dean Hamer, një prej gjenetistëve më të mëdhenj në botë, aktivist gay dhe vetë gay thotë në revistën The science of Desire P. Copeland and D. Hamer (1994): Nuk mund të thuhet se ka një gjen gay. Arkivat e përgjithshme të psikiatrisë fq. 50, nr.3, pasi analizuan me kujdes të gjitha studimet e rëndësishme biologjike mbi homoseksualitetin nuk gjetën asgjë që të mbështesë teorinë e shkakut biologjik të homoseksualitetit.
Shkencëtarët psikiatër Fridman dhe Drëney shkruajnë në Journal of Neuropsychiastry, vol. 5, nr. 2, Spring 1993 thanë: Pavarësisht se gjetjet e kohëve të fundit neurobiologjike sugjerojnë se homoseksualiteti është i përcaktuar gjenetikisht dhe biologjkisht, nuk ka asnjë provë shkencore për model biologjik të homoseksualitetit. Andaj lista e shkencëtarëve me renome botërore dhe e punimeve të tyre tregojnë se homoseksualiteti nuk është i lindur (gjenetik), është shumë e madhe.
Por, aktivistët e heshtjes gay janë përpjekur me mjeshtëri ta zhvendosin vëmendjen nga këto të vërteta dhe të flasin për orientim seksual dhe jo për sjellje seksuale, duke e ditur mirë që pranueshmëria publike është shumë e madhe kur thuhet se homoseksualiteti është i lindur. Homoseksualiteti është një sjellje seksuale e pashëndetshme dhe pranimi i saj publik është me pasoja të rrezikshme.
Sëmundjet seksuale transmitive të homoseksualitetit janë: viruset, bakteret dhe mikroorganizmat tjerë. Gazeta San Francisko Cronicle më 15 janar të vitit 2008 njoftoi se në komunitetin gay të qytetit ishte shfaqur një lloj stafilokoku rezistent ndaj çdo lloj antibiotiku. Sidomos problem të madh paraqesin sëmundjet transmitive virusale siç janë: HIV/AIDS, virusi papiloma human (HPV), virusi i herpesit simplex (HSV) dhe virusi i hepatitit B. Tek homoseksualët dyert hyrëse janë: mukoza e regjionit anal.
Një nga sëmundjet më të rënda që është e pranishme te homoseksualët është kanceri i zorrës së trashë. Sipas revistës amerikane Kujdesi klinik për Amerikën e Veriut, e botuar në vitin 2004 bën me dije se 65% e njerëzve me kancer kanë qenë homoseksualë. Është e tepërt të thuash se përdorimi i drogës te homoseksualët është në nivele dëshpëruese dhe tmerruese.
Kriminologë të panumërt kanë dhënë statistika lebetitëse për dhunën që shfaqin homoseksualët. Në fund, mund të konkludojmë se homoseksualiteti është sëmundje e rëndë që dëmton individin dhe shoqërinë dhe mu për këtë, Krijuesi ynë i Plotfuqishëm aq rëndë e dënon, ashtu siç e dënoi aq ashpër popullin e Lutit a.s.
Kunushevci: Dr. Iljazi, ditëve të fundit bota po përballet me rrezikun e përhapjes së virusit Ebola. A mund të na tregoni se çka është ky virus, si shkaktohet, cilat janë pasojat dhe si mund të mbrohemi prej tij? A rrezikohet Kosova nga virusi Ebola?
Iljazi: Ebola është përshkruar nga Organizata Botërore e Shëndetësisë (OBSH), si një nga sëmundjet më të fuqishme virale të njerëzimit. Rastet e tanishme që filluan në mars të këtij viti, kanë marrë jetën e më shumë se 5000 personave nga 14.000 të infektuar në Afrikën Perëndimore, kryesisht në Guine, Siera Leone dhe Liberi. Ekzistojnë pesë lloje të dallueshme të Ebolës dhe norma e mbijetimit varion nga 25 deri në 90%. Deri më tani, nuk ka vaksinë të licencuar për Ebolën, ndonëse disa po testohen.
Kosova deri për momentin nuk është e rrezikuar nga Ebola. Ebola u transmetohet njerëzve nëpërmjet kontaktit të afërt me gjakun apo lëngjet e trupit të kafshëve të infektuara. Ebola mund të kalohet edhe nga njëri njeri te tjetri, përmes kontaktit me gjakun apo lëngjet e trupit. Prekja e trupit të personave të vdekur prej virusit, mund të jetë shkak për transmetimin e sëmundjes.
Koha nga infektimi në shfaqjen e simptomave është nga dy deri në njëzet e një ditë. Për sa kohë njerëzit përmbajnë në gjak dhe në sekrecionet e tyre virusin, ata mbeten të infektuar.
Simptomat fillestare përmbajnë ngritjen e papritur të temperaturës së trupit, dhimbjen e muskujve, plogështinë e përgjithshme, dhimbjen e kokës dhe fytin e thatë. Simptoma të tjera janë të përzierat, diarreja, skuqja e lëkurës dhe dëmtimi i funksioneve të veshkave dhe mëlçisë.
Në disa raste, simptomat përfshijnë hemorragji të brendshme dhe të jashtme. Pastrimi dhe dezinfektimi i vazhdueshëm i fermave mund të largojë virusin. Kontakti me kafshët duhet të jetë i mbrojtur nga dorezat dhe përparëset. Mishi i kafshëve duhet të gatuhet mirë përpara se të shërbehet për ngrënie. Është e nevojshme të shmanget kontakti me personat e infektuar me Ebola dhe në raste të domosdoshme të vishen veshje mbrojtëse.
Duhet të lahen duart pas vizitave në spitale apo kujdesit për të infektuarit në shtëpi. Viktimat e Ebolës duhet të varrosen sa më shpejt dhe sa më me siguri. Disa vaksina po testohen, por asnjëra nuk është miratuar për përdorim klinik.
Një nga ilaçet e patestuara, Zmapp, është përdorur te dy misionarë amerikanë që kanë dhënë rezultate përmirësimi. Po ashtu, i është dhënë një prifti spanjoll, i cili më pas vdiq. Efektet anësore nuk janë të njohura, por Organizata Botërore e Shëndetësisë po e përdor në raste të izoluara.
Disa produkte Zmapp-i, që janë zhvilluar nga një kompani amerikane farmaceutike, janë dërguar në Afrikën Perëndimore. Kompania thotë se e ka dhënë trajtimin falas. Në Kanada janë dërguar 1000 mostra të ilaçit eksperimental të prodhuar nga laboratorët qeveritarë. Më parë janë marrë rezultate pozitive nga testimet te kafshët, por nuk janë testuar akoma te njerëzit.
Kunushevci: Sa i kushtojmë rëndësi shëndetit? Jemi dëshmitarë se kohëve të fundit rrezikohemi nga sëmundje e viruse të ndryshme në botë që po marrin jetë njerëzish, si: kanceri, AIDS-i etj? Sa po punon bota në parandalimin e sëmundjeve dhe viruseve globale? Çfarë na thotë Organizata Botërore e Shëndetësisë? Cilat ushqime dhe pije na rekomandoni të konsumojmë? Çka na rekomandon diçka tjetër përveç konsumit cilësor?
Iljazi: Ne pak i kushtojmë rëndësi shëndetit. Në mjekësi vlen thënia: Më mirë të parandalosh se të kurosh. Sot jemi të kanosur nga sëmundjet virale, kardiovaskulare, kancerogjene, si dhe nga mbipesha e cila sipas OBSH është regjistruar si sëmundje bashkëkohore me reperkusione të rënda në organizëm. Mungesa e edukimit shëndetësor, njohurive për sëmundjet, për parapengimin e tyre, regjimi joadekuat higjeniko-dietetik, mënyra joefikase e të ushqyerit janë faktor që kontribuojnë në zhvillimin e sëmundjeve. Përdorimi i frutave të freskëta, ushqimi vegjetabil, mospërdorimi i alkoolit, duhanit, emulgatorëve me origjinë shtazore, pijeve të gazuara, dhe aktiviteti fizik janë garancë për shëndet të mirë.
Kunushevci: Mesazhi juaj për fund?
Iljazi: Dituri, unitet, dashuri, dhe punë të pandërprerë për mirëqenien e familjeve tona, atdheut, dhe kombit tonë. Zhvillim dhe përparim në shkencë që të bëhemi model-shembull për tjerët. Mos ta harrojmë thënien e Profetit tonë të bekuar: Ai i cili i ka dy ditë të njëjta (në arritje), është në humbje të sigurt.
Kunushevci: Ju falenderoj shumë që gjetët kohë tiu përgjigjeni këtyre pyetjeve në këtë intervistë. Ishte kënaqësi dhe nder.
Iljazi: Faleminderit edhe juve dhe suksese.
Intervista është realizuar për revistën kulturore PAQJA.
Intervistoi: Labinot Kunushevci