27 Dhjetor 2024

6899 nxënësve iu bëhen vizitat mjekësore në shkollat fillore

Prishtinë, 22 shtator - Sot, Kryetari i Komunës së Prishtinës, Shpend Ahmeti, Drejtori për Shëndetësi dhe Mirëqenie Sociale, Arben Vitia, shefi e shërbimit të vaksinimit, Dr. Nexhmedin Hoti, si dhe Dr. Teuta Hoxha nga sistemi i informimit shëndetësor në Drejtorinë e Shëndetit dhe Mirëqenies Sociale, paraqitën të dhënat nga vizitat sistematike në shkollat fillore të Komunës Prishtinës.

Fëmijët e moshës shkollore janë kategori e veçantë e popullatës për shkak të rritjes dhe zhvillimit aktiv të tyre, prandaj ata kërkojnë edhe kujdes të veçantë shëndetësor. Shëndeti i fëmijëve është edhe një prej treguesve të rëndësishëm për gjendjen shëndetësore të popullatës.

Gjatë shkollimit të rregullt si masë preventive për mbrojtjen shëndetësore të fëmijëve, punëtorët shëndetësor kryejnë edhe vizita sistematike.

Pasi që në Shkolla Fillore nuk  ofrohen shërbimet shëndetësore nga ana e personelit shëndetësor  dhe pamundësohet përcjellja e vazhdueshme e rritjes dhe zhvillimit të fëmijëve, Drejtoria Komunale për Shëndetësi dhe Mirëqenie Sociale në Prishtinë, e udhëhequr nga drejtori Arben Vitia në bashkëpunim me stafin udhëheqës të QKMF morri iniciativën për organizimin e vizitave sistematike të nxënësve të shkollave fillore në Komunën e Prishtinës, me ç’rast u bë vlerësimi i gjendjes shëndetësore të nxënësve identifikimi i deformiteteve, anomalive apo sëmundjeve specifike për moshën dhe ndërmarrjen e masave për parandalim dhe korrigjimin e tyre.

Kjo iniciativë u ndërmor në Prishtinë pas 15 viteve , si pjesë e programit qeverisës të kryetarit, Shpend Ahmeti.

Qëllimi i këtyre vizitave ishte që të krijohet një pasqyrë për gjendjen shëndetësore të nxënësve, të identifikohen problemet më të shpeshta shëndetësore apo ngecjet në zhvillimin fizik dhe psikik të tyre, si dhe të krijohet një bazë e të dhënave për ndërmarrjen e masave për përmirësimin e gjendjes shëndetësore të tyre.

Për zhvillimin e këtij aktiviteti, së pari është formuar grupi punues, në përbërje të: Drejtorit të QKMF-së, Koordinatorit, Përgjegjësit të sektorit të Mjekësisë Familjare, Përgjegjësit të sektorit të Shëndetit Oral, Kryeinfermieres të QKMF-së dhe Përgjegjësit për Logjistikë.

Ky aktivitet është realizuar në bashkëpunim të ngushtë me Drejtorinë Komunale për Shëndetësi dhe Mirëqenie Sociale, Drejtorinë Komunale për Arsim dhe Drejtoritë e Shkollave Fillore. Për realizimin e këtij aktiviteti u planifikua formimi i 15 ekipeve implementuese.

Vizitat sistematike janë realizuar sipas planit dhe kanë përfunduar në 51 shkolla fillore dhe me paralele të ndara. Drejtoria për Shëndetësi dhe Drejtoria e QKMF duke u bazuar në planin e hartuar bëri furnizimin e nevojshëm të pajisjeve mjekësore, materialit administrativ dhe mjeteve tjera harxhuese sipas nevojës për ekipin e  Mjekut  Familjar dhe ekipin e Stomatologut.

Numri i përgjithshëm i nxënësve të planifikuar për vizita ka qenë gjithsej 7097, ndërsa janë vizituar 6899 apo 97.2%. Pra,  kanë munguar 198 (2.8%).

Në qytet, 50.3% nga të vizituarit i përkisnin gjinisë mashkullore, ndërsa 49.7% gjinisë femërore. Në zonat rurale, 51.7% e atyre që iu nënshtruan vizitave i përkisnin gjinisë mashkullore, ndërsa 48.3% gjinisë femërore. Në total, kontrollit mjekësor i janë nënshtruar 3484 djem (50.5%) dhe 3415 vajza (49.5%).

Nga këto vizita sistematike, doli se shëndeti i nxënësve është deri diku i kënaqshëm, por në disa raste janë evidentuar patologji dhe anomali që është dashur të intervenohet menjëherë.

“Janë zbuluar 9 raste me zhurmë në zemër, 6 të klasave të para e 3 raste të klasave të pesta. Moszbulimi i tyre me kohë do të mund të ishte fatal për nxënësit. Janë 1400 fëmijë me ushqyeshmëri të dobët, gjë që e arsyeton premtimin e realizuar të kryetarit Ahmeti për shujtat në shkolla”, tha Dr. Nexhmedin Hoti. Ai shtoi se çantat shkollore nuk duhet ta kalojnë 10% të peshës trupore, dhe se për këtë shkak janë hasur mjaft raste me probleme në shtyllën kurrizore.

Çdo fëmijë ka përafërsisht 6 dhëmbë me aries, e ky është një prej problemeve më të mëdha shëndetësore. Në të ardhmen pritet të realizohet një projekt i veçantë lidhur me parandalimin e kësaj sëmundje, si dhe do te niset me fushatën sensibilizuese.

Tash e tutje, çdo vit do të merret një mostër e zhvillimit dhe do të bëhen krahasime të gjetjeve sa i përket shëndetit të fëmijëve në shkolla.

Bashkëpunimi me ambasadën çeke do të na mundësojë një databaze për vizitat sistematike, pasi që së shpejti do të ndërmerret edhe një aksion operacional konkret.

Shumë shpejt, Komuna e Prishtinës do të nis me tri pilot projekte për mjekë nëpër shkolla.

Kalendari

Ngjarjet e datës 8 gusht 2023

 - Partia Demokratike e Kosovës, mban konferencë për media. (Selia Qendrore e PDK-së, ora 11:00)

 

 - Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, organizon shfaqjen e filmave “I Pabesi” dhe “Heshtja Vret”. (Kino “Armata”, ora 20:00)