6 fëmijë përfitojnë mjekim nga ekipi i mjekëve nga Amerika
Prishtinë, 10 korrik - Ambasadorja e Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Kosovës, Znj. Tracey Ann Jacobson, ka vizituar sot Klinikën e Pediatrisë së Qendrës Klinike Universitare të Kosovës, me çrast është njohur nga afër me ndihmesën që kanë dhënë mjekët amerikanë në bashkëpunim me mjekët kosovarë për mjekimin e 6 fëmijëve me probleme në zemër.
Znj. Jacobson tha se ndjehet krenare me mbështetjen që deri tani kanë dhënë Shtetet e Bashkuara të Amerikës, përmes USAID dhe US ARMY.
Falënderoj mjekët për ndihmën që kanë dhënë për fëmijët, fëmijët janë e ardhmja e këtij vendi, ky ka qenë vullnet dhe nismë e mirë e tyre vullnetare, nuk ka qenë e organizuar nga Ambasada, theksoi Znj. Jacobson.
Sipas saj, Ambasada Amerikane ka pasur bashkëpunim të mirë me sektorin e shëndetësisë dhe janë realizuar disa projekte në këtë drejtim.
Dr. Kirk Milhoan, Drejtor Shëndetësor i Shoqatës me shpirt dhe zemër, e cila ka mbështetur këtë projekt, tha se është hera 16, që vjen në Kosovë dhe se vazhdimisht ka vërejtur përparime.
Për herë të parë kam qenë në vitin 2001, atëherë nuk kishte kushte dhe nuk ka pasur kujdes të duhur për fëmijët me probleme në zemër, tani 5 vjet më vonë ka kushte më të mira dhe këta fëmije marrim trajtim më të mirë, theksoi Z. Milhoan.
Ai tha se është i inkurajuar me të arriturat dhe me profesionalizmin e treguar nga mjekët e Kosovës, edhe pse punojnë në kushte të vështira.
Dr. Isuf Dedushaj, Drejtues i Bordit të Shërbimit Spitalor Klinik Universitar të Kosovës (SHSKUK) falënderoi Ambasadoren Jacobson dhe mjekët nga Amerika për përkrahen e vazhdueshme për sektorin e shëndetësisë. Në vitin 2013, ka rënë vdekshmëria apo mortaliteti për 15 promil dhe ky është sukses i shëndetësisë së Kosovës, theksoi Z. Dedushaj.
Dr. Ramush Bejiqi, pediatër-kardiolog dhe organizator i ekipit të mjekëve nga Amerika, njoftoi se janë kryer 6 intervenime nga kardiologjia invazive dhe të gjithë fëmijët gëzojnë shëndet të mirë. Sipas tij, vlera financiare e materialit si donacion kap shifrën 80 mijë dollarëve.
Ekipin e mjekëve nga Amerika dhe Ambasadoren Jacobson, i falënderoi edhe Drejtori i Përgjithshëm i SHSKUK, Dr. Curr Gjocaj.
Ambasadorja Jacobson, vizitoi nga afër hapësirat e Emergjencës Pediatrike, ku nga afër u njoh me kushtet e mjekimit për fëmijë dhe bisedoj me stafin shëndetësor.