250 pacientëve u vendosen proteza të syrit në QKUK
Prishtinë, 24 tetor - Ministri i Shëndetësisë i Republikës së Kosovës, Dr. Ferid Agani, ka vizituar Klinikën e Syve të Qendrës Klinike Universitare të Kosovës (QKUK), me çrast ka vizituar disa nga pacientët të cilëve u janë vendosur proteza të syrit.
Ministri Agani, me këtë rast tha se ky projekt po realizohet pas nënshkrimit të marrëveshjes së bashkëpunimit midis Ministrisë së Shëndetësisë, Shoqatës së Oftalmologëve të Kosovës dhe Spitalit Gos Vakfi Bayrampasa nga Stambolli.
Sipas tij, falë kësaj marrëveshjeje këto proteza po vendosen për herë të parë në QKUK dhe çmimi i paguar nga Ministria është minimal, në raport me çmimet e tregut në Turqi.
Në Turqi një protezë e tillë kushton rreth 800 euro, ndërsa Ministria ka pagua për një protezë të syrit 150 euro, apo në vlerë totale 34 mijë euro, ku do të përfitojnë 250 pacientë, u shpreh ai.
Mjekët nga Turqia e informuan Ministrin Agani se nga dita e hënë, janë vendosur 120 proteza të tilla, përderisa protezat e tjera do të vendosen gjatë ditës së sotme dhe ditëve në vijim. Sipas tyre gjatë punë në Klinikën e Syve nuk ka pasur ndonjë problem dhe puna ka shkuar sipas parashikimeve.
Sylejman Sylejmani, njëri nga pacientët që vendosi protezën, u shpreh i kënaqur që kishte arritur që pas shumë viteve të ndërronte protezën e tij.
Para luftës e kam vendosur një protezë në Beograd, pas luftës nuk kam mundur ta ndërroi atë, tash jam i kënaqur që mu dha rasti të vendosi atë, tha ai.
Pacientët e planifikuar për vendosje të protezave pritet që të kryejnë këtë intervenim gjatë ditës së sotme dhe të nesërme.